Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve.
Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në fshatin Kishnapole në Gjilan, teksa Policia po zbatonte një plan operativ – me ç’rast ndaloi një veturë me targa gjermane.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit policorë, jane gjetur 3 armë dhe një sasi municioni, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Dy të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor lidhur me rastin, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.