Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari kanë takuar sot përfaqësuesit e bizneseve vendore ku është diskutuar për rimëkëmbjen ekonomike, pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19.
Në një njoftim nga zyra për media e MFPT’së bëhet e ditur se ministri Murati ka deklaruar se është në proces të dizajnimit të pakos së re të rimëkëmbjes ekonomike.
“Ne si ministri me shumë vëmendje jemi duke i analizuar sektorët të cilët janë prekur nga pandemia COVID19, ashtu që përkrahja efektivisht të ndikojë në rritjen e bizneseve, e rrjedhimisht edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e eksportit e zhvillimin ekonomik”, ka deklaruar ministri Murati.
Po ashtu, bëhet e ditur se fokus i veçantë do të ketë përkrahja e sektorëve të industrisë dhe prodhimit.
“Ministrja Hajdari, gjithashtu potencoi se rimëkëmbja ekonomike është pikë kyçe Planit të Qeverisë Kurti, ku fokus të veçantë do të ketë përkrahja e sektorëve të industrisë dhe prodhimit. Ajo gjithashtu shtoi se Qeveria tashmë është në proces të inicimit të Ligjit për tregti të jashtme, Ligjit për konkurrencë dhe për inspektorat, ligje të cilat do të luajnë një rol vital në ekonominë e vendit”, bëhet e ditur në njoftimin e MFPT-së.