I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, sot paralajmëroi se pritet të ketë një takim ndërmjet krerëve të ekipeve negociatore të të dyja palëve. Ai ka takuar zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, prej të cilit e ka kërkuar zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes bazë, të dakorduar një vit më parë.
“Kjo marrëveshje është më e mira që Kosova dhe Serbia mund të arrinin. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, do ta kishim propozuar deri më tani. Prandaj, është në interes të secilit që të vazhdohet me zbatimin, sepse në këtë marrëveshje i kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Pyetja e vetme së cilës nuk i është dhënë përgjigje tani është se kur. Pyetja ime është se pse të presim. Kjo marrëveshje është e mirë dhe ne duhet të fillojmë me implementimin”, ka thënë Lajçak.
Lajçak tha se në takimet e reja në Bruksel, do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, por edhe të përdorimit të dinarit serb, i cili çoi në polemika ndërmjet Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, të cilët kundërshtuan zbatimin e vendimit për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas diplomatit evropian, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel në të cilin u diskutua çështja e dinarit gjetur përgjigje në disa çështje.
“Janë disa pikëpyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me zotin Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj organizimin e një takimi të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha Lajçak.
Në takimin e 27 shkurtit në të cilin Serbia përfaqësohej nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviq, nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili.
Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.
Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.
Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Kosovën dhe kanë paralajmëruar se partneriteti ndërmjet dy qeverive, është dëmtuar me qasjen e saj ndaj çështjes së dinarit.
Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përkojnë me një vjetorin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.
Marrëveshja e mbështetur nga perëndimi u kërkon palëve të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës si dhe zbatimin të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.
Në tetor të vitit të kaluar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij dhe ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.
Ata i paralajmëruan të dyja palët se zbatimi i marrëveshjes është në thelb të rrugëtimit të tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.