Prishtina ka mposhtur Dukagjinin me rezultat të thellë 5-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Emmanuel Egbo është kthyer të fitroaj në kampionat, pasi ka mposhtur me lehtësi ekipin klinas në ndeshjen e zhvilluar në “Sami Kelmendi” në Lipjan.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte plotësisht e dominuar nga vendasit, të cilët përveç rasteve të shumta arritën të shënojnë edhe tri gola.
Goli i parë erdhi pas vetëm dy minutave lojë me anë të Ardian Limanit, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Mërgim Pefqeli shënoi në minutën e pestë për 2-0 dhe në minutën e 42-të për 3-0.
Në pjesën e dytë, përsëri Prishtina ishte skuadër dukshëm më e fortë duke pasur edhe shumë raste tjera për gol dhe duke shënuar edhe dy gola.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 59-të me anë të Genc Hamitit, i cili shënoi për 4-0, ndërsa në minutën e 80-të shënoi për 5-0.
Pas kësaj fitore, Prishtina e sheh veten në pozitën e pestë me 37 pikë, ndërsa Dukagjini i gjashti me 31 pikë.
Në ndeshjen e ardhshme, kryeqytetasit udhëtojnë te Fushë Kosova, ndërsa klinasit e presin Feronikelin ’74.