Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se pushteti aktual, i ardhur në qeverisje me program social dhe anti-korruptiv, por që sipas tij, për këto tre-kater vjet vazhdon të jetë qeverisja më anti sociale dhe më e korruptuara.
Dreshaj përmes një postimi ka thënë se pensionistët janë lënë jashtë agjendës qeverisëse dhe janë shndërruar në lypsarë.
“Pensionistët, lëre më që janë jashtë agjendës qeverisëse, janë shndërruar në lypsar, por edhe lëmosha që ju jepet, nuk harmonizohet me koston e jetesës. Deputetët e AAK-së e mbeshtetën me votë marrëveshjen ndërkombëtare për rregullimin e skemave sociale në vend, përkundër premtimit nga mazhoranca, kjo nuk ndodhi”, ka thënë Dreshaj.
Tutje, ai ka shkruar se mashtrimi po vazhdon.
“Kjo qeveri mashtroi të gjithë, edhe votuesin. Të mashtroni ata që shpresuan se do të gëzojnë me pensionim pleqëri të dinjitetshme është më shumë se krim. Ky pushtet duhet të veprojë urgjent duke ua mundësuar shfrytëzimin e kontributeve meritorëve dhe duke i harmonizuar këto me koston e jetës”, thekson mes tjerash ai.
Dreshaj ka pohuar se pensionistët kanë nevojë për mbështetje.