Çështja e njohjes së Kosovës nga Spanja doli gjatë diskutimit të takimit të ministrave të jashtëm më 27 maj, në Bruksel, në dritën e vendimit të Spanjës për njohjen e shtetit të Palestinës.
Burimet i thanë Radios Evropa e Lirë se për këtë ka pasur një grindje të hapur ndërmjet palëve nga Gjermania dhe Spanja.
Derisa Gjermania ishte “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës, “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”.
Ish-ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, gjatë vitit 2023 kishte deklaruar se qëndrimi i vendit të tij është i qartë: Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, kishte thënë Bartolome më 30 qershor, një ditë para se Spanja të merrte udhëheqësinë e Presidencës së Bashkimit Evropian.
“Spanja nuk dëshiron t’i japë Katalonjës më shumë municion“
Arsyeja kryesore lidhur me këtë besohet të jetë qëndrimi i Spanjës karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet.
Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.
“Qartazi, Spanja nuk dëshiron ta njohë Kosovën, sepse do të duhej të pranonte se provincat e një shteti kanë të drejtë të ndahen… Ata nuk duan t’i japin Katalonjës më shumë municion ose argument për ndarje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Eran Fraenkel.
Tani i vendosur në SHBA, Fraenkel kishte jetuar për disa vite në Spanjë ku kishte punuar me Qendrën për Punë të Jashtme të Barcelonës, si ekspert për rajonin e Ballkanit.
Ai ka disa publikime mbi Ballkanin dhe marrëdhëniet e këtij rajoni me Bashkimin Evropian.
Duke komentuar lëvizjen e fundit të Spanjës për njohjen e shtetit palestinez, Fraenkel thotë se këtë çështje e sheh të ndarë nga njohja e mundshme e Kosovës.
“Kushtet historike dhe politike në Kosovë dhe Palestinë janë shumë të ndryshme saqë në të vërtetë nuk janë të krahasueshme”, thotë ai.
Çfarë rrezikon Spanja nga njohja e Palestinës apo e Kosovës?
Ndonëse thotë se mund t’i japë një lloj shtytjeje kauzës palestineze, Fraenkel beson se qeveritë e shteteve që e njohin shtetin e Palestinës, “e pranojnë që është në parim (gjest) simbolik”.
“Vendimi mund të jetë me qëllim të mirë se shtetet duan të njohin të drejtën e palestinezëve për vetëvendosje (shtetësi), për të cilën të gjithë pajtohen në parim. Por, askush nuk mund të pajtohet se si të realizohet kjo në praktikë dhe përderisa ka çështje të pazgjidhura mes Izraelit dhe Palestinës, atëherë çështja operacionale (praktike) për shtetësinë palestineze do të shtyhet në vazhdimësi”, thotë ai.
Ai beson se ekzistojnë edhe disa pengesa të mëdha në drejtim të zgjidhjes me dy shtete.
“Njohja e shtetit palestinez është e varur nga të mospasurit luftë, që fatkeqësisht jam pesimist se mund të ndodhë. Pra, të mos ketë luftë dhe të ketë pajtim palestinez mbi atë se çfarë lloj qeverisjeje duan dhe ku do të jetë ajo”, shpjegon Fraenkel.
Tutje, Fraenken beson se njohja e shtetit palestinez, nuk do t’i shkaktojë Spanjës apo shteteve të tjera, ndonjë pasojë të madhe në pozicionin aktual në politikën ndërkombëtare.
“Edhe nëse krijon disa valë ose ndonjë ndjenjë të keqe në mes të Izraelit dhe shteteve që po e njohin shtetësinë palestineze, unë nuk mendoj që është diçka që nuk mund të tejkalohet”, thotë ai.
Ndërkaq, meqenëse Spanja e sheh Kosovën si një lëvizje separatiste, sipas Fraenkel, pasojat nga një njohje e mundshme, për Spanjën, janë të menjëhershme.
“Katalonasit (vite më parë) dëshironin të mbanin një referendum për të shpallur pavarësinë. Madridi e quajti këtë ilegale. Duke pasur parasysh këtë qëndrim të Spanjës ndaj Katalonjës, si do të ishte e mundur që ata të pranonin një Republikë separatiste”, shton Fraenkel.
Në deklarime të mëhershme zyrtare në lidhje njohjen e mundshme të Kosovës, Madridi zyrtar kishte thënë për REL-in se “çështja e territorit të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.
Më 6 janar, megjithatë, Spanja ka njohur pasaportat e Kosovës, duke u mundësuar qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa viza edhe në këtë shtet, pas heqjes së regjimit të vizave për kosovarët më 1 janar, 2024.
Por, autoritetet e këtij vendi sqaruan për REL-in se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës.
Liderët e Kosovës, megjithatë, në vazhdimësi deklarojnë se presin ndryshim qëndrimi nga shtetet mosnjohëse evropiane. /REL