Muhamet Hyseni bëhet transferimi më i shtrenjtë në futbollin kosovar, nga Llapi kalon në klubin danez Horsens

Muhamet Hyseni bëhet transferimi më i shtrenjtë në futbollin kosovar, nga Llapi kalon në klubin danez Horsens

Ylli i klubit futbollistik Llapi, Muhamet Hyseni, është transferuar në klubin danez AC Horsens me vlerë 650 mijë euro, duke u bërë kështu transferimi më i shtrenjtë në histori të futbollit kosovarë, njofton Gazeta Enigma.

Hyseni ka nënshkruar kontratë pesë vjeçare me klubin që bënë gara në divizionin e parë të futbollit danez.

“Marrëveshja me klubin AC Horsens është arritur në pajtueshmëri të plotë me futbollistin Hyseni, i cili do u bashkohet atyre në përgatitje para datës 20 qershor. Klubi ynë ka negociuar tash e disa muaj me klubin AC Horsens për transferimin e Hysenit, teksa sot edhe është zyrtarizuar nga klubi danez”, tha klubi i Llapit në komunikatë.

“AC Horsens kanë qenë ndër klubet më serioze dhe me projektin më të mirë si për futbollistin ashtu edhe për ne si klub, ku gjatë bisedimeve kemi rënë dakord që përveç Hysenit, klubet do bashkëpunojnë ngushtë edhe për futbollistë tjerë nga KF Llapi”, thuhet tutje në komunikatë.

Muhamet Hyseni në dy periudha kohore me Llapin, ka zhvilluar në total 80 paraqitje, 33 gola e 11 asistime.

Në sezonin e fundit, Hyseni u shpall golashënuesi më i mirë i Albi Mall Superligës me 26 gola të realizuar.

Krahas 26 golave, ai kontribuuoi edhe me 6 asistime, duke ndihmuar klubin të kualifikohet në raundin e parë të UEFA Europa League si nënkampion.

“Klubi do e ndjej boshëllëkun e lënë nga ai para ndeshjeve shumë të rëndësishme evropiane, megjithatë insistimi i vazhdueshëm i klubit AC Horsens, ka bërë që Hyseni përkundër dëshirës së madhe për të kontribuuar edhe më tej për Llapin, t’i bashkangjitet klubit të ri”, thotë tutje komunikata.

KF Llapi falënderoi përzemërsisht Hysenin për kontributin e çmueshëm për klubin.

“Një futbollist si Hyseni do mbahet gjatë në mendjet e secilit tifoz llapjan. Pa dyshim që si futbollist, karriera e tij do të jetë shumë e ndritshme, megjithatë në çdo kohë, dyert e KF Llapit do të jenë të hapura për futbollist me karakter dhe profesionist si ai. Faleminderit kampioni ynë, Muhamet Hyseni!”, përfundon komunikata. /Gazeta Enigma

Related Articles