Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ende nuk ka raportuar në Kuvend për takimin e parë me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për të raportuar dhe paraqitur një platformë për dialogun, opozita vazhdon të kërkojë çdo herë nga Qeveria e Albin Kurtit.
Ky i fundit sot është pyetur se kur do të raportojë në Kuvend për dialogun me Serbinë, por nuk ka dhënë një përgjigje të prerë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
“Çdo herë i gatshëm jam unë”, ka thënë shkurt Kurti nga Prizreni ku vizitoi sot panairin e shkollave profesionale
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë takuar në Bruksel më 15 qershor, ndonëse nuk pati ndonjë zhvillim nga kjo, ndërmjetësuesit e BE-së e kanë quajtur si zhvillim pozitiv rifillimin e bisedimeve.
Kurti në këtë takim ka prezantuar katër pika, ku presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq, i ka quajtuar ekstrem kërkesat e Kurtit.
“Ai del me kërkesat e tij ekstreme, përmend karrigen e OKB-së dhe njohjen, flet për të si diçka normale, duke u mbështetur në Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të BE-së, dhe pastaj na vendos neve në një pozicion që të ndihemi ekstremistë. Por ne vetëm mbrojmë ligjet ndërkombëtare, rezolutën 1244”, tha Vuçiq.