Që nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë, siguria e Kosovës është temë diskutimi, shkruan Gazeta “Enigma”.
Edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës pati disa deklarata se qindra njerëz në Serbi po ushtrohen dhe po përgatiten për një sulm të mundshëm ndaj Kosovës.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi ditë më parë se kanë informacione për disa përgatitje që po bëjnë disa qytetarë në Serbi, për ndonjë sulm të mundshëm.
“Institucionet tona kanë informacione të sakta se qindra persona po ushtrohen, po përgatiten për ndonjë sulm eventual. Por, ne jemi gjithmonë, dhe institucionet tona të sigurisë janë vigjilente dhe të përballemi me çka do që vjen nga Serbia, dhe me një koordinim edhe me institucionet ndërkombëtare dhe ushtarake që veprojnë në Kosovë”, theksoi ai.
Ndërkohë sinjali i fundit se siguria e vendit është e brishtë, u dha në Ujman të dielën kur ndodhi një shpërthim i fuqishëm.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, ka theksuar se deklaratat Qeverisë lidhur me sigurinë e vendit po shkaktojnë frikë e panikë tek qytetarët.
“Janë të pakuptimta deklaratat e vazhdueshme të Qeverisë të cilët thërrasin për incidente, ku në fakt frikësojnë popullin se do të ketë incidente të përgatitura nga grupe kriminale qoftë nga veriu qoftë nga jashtë Kosovës”, deklaroi Qalaj për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se “në vend që të jepen këto deklarata nga Qeveria e Kosovës dhe eksponentët e saj ata duhet të i mbështesin institucionet e sigurisë edhe me informata, por edhe me çfarëdo resursi tjetër që ata të jenë të përgatitur dhe të përgjigjen në çfarëdo sfide që mund të ballafaqohet vendi”.
Sipas Qalaj deklaratat e tilla nga ana e Qeverisë në kohën e zgjedhjeve janë populliste dhe asgjë më shumë.
“Mendoj që deklaratat e tilla në kohën e zgjedhjeve janë më shumë popullsite dhe asgjë më tepër. Qeveria duhet të fokusohet në ekonomi dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ndërsa institucionet e sigurisë ta kryejnë punën e tyre ashtu siç e kanë në mandat”, deklaroi Qalaj për “Enigmën”.
“Institucionet e sigurisë janë duke punuar edhe pse janë duke u shfaqur mjaft dobësi në punën e tyre. Sidoqoftë janë incidente të izoluara të cilat janë duke u trajtuar nga Policia e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka deklaruar se sulmi i fundit në Ujman dëshmon që pjesa veriore ka ende mbetje të grupeve kriminale.
“Situata nga kjo ngjarje po dëshmon që pjesa veriore ka mbetje të grupeve kriminale që për synim dhe qëllim kanë destabilizimin e pjesës veriore për të mbajtur gjallë narrativen e Beogradit zyrtar dhe tentativat për të nxitur mbështetjen të pjesa e komunitetit serb të cilët tani janë kthyer në drejtim të bashkëpunimit më institucionet tona vendore të Kosovës”.
Shala tutje ka deklaruar se në bazë të informatave deri tash, i dyshuari ka njohuri për përdorimin e mjeteve explozive.
“Personi – i dyshuari në bazë të asaj se si ka veprua po dëshmon që ka njohuri më përdorim të mjeteve explozive dhe që trajnimi i bërë sipas të gjitha gjasave është kryer në pjesën ushtarake të Serbisë e cila ka plane të saja që të ndërhyn ne territorin e Kosovës përmes veprimeve diverzante të strukturave serbe”, tha Shala për “Enigmën”.
Shala ka theksuar se “Serbia përdor çdo rast në mënyrën dhe formën e saj Hibride për të goditur Kosovën por edhe luftuar me informacione të fabrikuara për të mbajtur gjallë narrativen e saj në raport me interesat që i ka ndaj Kosovës”.
Ndërkohë nga KFOR kanë theksuar se po monitorojnë nga afër çdo zhvillim të sigurisë në Kosovë.
Kujtojmë se të dielën në afërsi të Liqenit të Ujmanit është hedhur mjet shpërthyes ku si pasojë janë dëmtuar dy vetura. Në hetimet për shpërthimin u gjetën një veturë dhe tri radiolidhje në një vend në zonën e Zubin-Potokut. /Gazeta Enigma/