Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë sonte se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se ura në Ibër duhet të hapet dhe se nuk ka diskutim për këtë temë – tregon qartë se ai dëshiron vetëm luftë dhe provokimin e një konflikti me pasoja të mëdha.
“Shpresoj që tani të jetë e qartë për të gjithë, veçanërisht në komunitetin ndërkombëtar, se kush është Albin Kurti – zjarrvënës ballkanik që dëshiron të ketë konflikt dhe të shkaktojë kaos në rajon”, tha Petkoviq në një deklaratë me shkrim.
Ai shton se Kurti asnjëherë nuk ka qenë i interesuar për dialog, sepse sipas tij, politika e tij është Kosova e pastër etnikisht, e pastruar nga serbët.
Petkoviq po ashtu theksoi se e vetmja gjë që Kurti ka bërë në dy vitet e fundit dhe ajo që po bën edhe sot janë lëvizjet e dhunshme dhe të njëanshme që synojnë dëbimin dhe persekutimin e popullit serb nga Kosova.
“Hapja e njëanshme e urës nga pikëpamja e sigurisë është një lëvizje jashtëzakonisht e rrezikshme me të cilën Kurti dëshiron të çojë në një konflikt. Si dhe BE-ja dhe KFOR-i, paralajmërojnë qartë se çështja e urës mund të zgjidhet vetëm në dialogun e Brukselit dhe në asnjë mënyrë tjetër, Kurti po e shkel në mënyrë më të tmerrshme dialogun dhe idenë e normalizimit”, ka theksuar Petkoviq, shkruan Kosovoonline.