KFOR-i flet për bllokadat e paralajmruara nga serbët: Të shmangen veprimet që krijojnë tensione

KFOR-i flet për bllokadat e paralajmruara nga serbët: Të shmangen veprimet që krijojnë tensione


Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje “që të shmangen veprimet që mund të shkaktojnë tensione të panevojshme”, shkruan Gazeta Enigma
.

Kështu deklaruan nga KFOR për Gazetën Enigma pasi u pyetën lidhur me paralajmrimin e serbëve se nga 6 shtatori do nisin vendosen e barrikadave në gjitha pikat kufitare me Kosovën.

“Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal”, kanë theksuar nga KFOR.

Aty po ashtu potencohet se KFOR-i do vazhdoj të ofroj siguri për gjithë qytetarët e vendit, duke mos e vënë theksin tek paralajmrimet e serbëve.

“KFOR-i po ndjek nga afër zhvillimet aktuale dhe po vazhdon të zbatojë mandatin e tij të OKB-së për të kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Misioni është i implementuar në atë formë për të trajtuar çdo zhvillim të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së”.

LEXO EDHE: MPJD: Qytetarët e Kosovës përfshirë mërgatën të shmangin të gjitha vendkalimet kufitare me Serbinë

Çka pritet të ndodhë me 6 shtator (nesër)?

Nga 6 shtatori, serbët po planifikojnë të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare, shkruan Gazeta Enigma.

E nëse ndodhë kjo, njohësit e çështjeve politike theksojnë se mund të ketë indikacione drejt cenimit të sigurisë së vendit.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, ka folur gjithashtu për situatën në përgjithësi në veri të Kosovës.

Në një prononcim për media ai ka thënë se “sa është Radojçiq i lirë ka rrezik, por ne je i me numër të mjaftueshëm të policëve dhe gjithçka është nën kontroll. Në rast se ndodh diçka ne jemi qe të reagojmë”.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha të hënën kryetari i të ashtuquajturit Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq.

A mund të ketë eskalim të situatës?

E një paralajmërim të tillë e sheh si serioz për sigurinë e vendit, profesori universitar Milazim Krasniqi.

Ai për Gazeta Enigma tha se Qeveria e Kosovës ka marrë vendime që kanë qenë të pamenduara dhe te pakoordinuara me faktorët ndërkombetarë.

Sipas tij “Serbia po konsiderohet faktor stabiliteti, ndërsa Kosova si faktor krize”.

“Paralajmërimet për bllokimin e kufirit, reale janë në kuptimin që ato mund të ndodhin në anën tjetër të kufirit dhe t’i bllokojnë hyrje daljet, nuk mund të prognozohet se çka do të mund të ndodhë”, u shpreh ai.

Krasniqi tutje thotë se “Qeveria e Kosovës do duhej te bënte veprime shumë më të matura edhe me Urën e Ibrit, edhe me të gjitha veprimet në veri, sepse qysh tash konsiderohet si fajtore për krizën gjë që mund të ketë implikime edhe për të ardhmen”.

Ndërkaq, analisti politik Gazmir Raci ka thënë se bllokadat nuk janë zgjidhje dhe se sipas tij nuk duhet lejuar as Kosova e as Serbia që pikat kufitare të bllokohen sepse do të mund të krijonin probleme ekonomike me ndikime rajonale.

“Nuk besoj se këto barrikada do të kenë efekt dhe do të jenë të organizuara siç kanë qenë dikur, sepse dikur në krye të këtyre barrikadave ka qenë Radoijçiq etj.. ata më nuk janë në kosovë, disa janë arrestuar e disa po kërkohen, këto mund të jenë më shumë paralajmërime deklarative. Andaj, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, nuk duhet lejuar që rrugët të bllokohen në veri”, u shpreh ai.

Raci tutje shton se Qeveria e vendit nuk duhet të zmbrapset ndaj vendimit për mbylljen e institucioneve paralele serbe, dhe se ato objekte duhet t’iu shërbejnë qytetarëve të Kosovës.

Kurse eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, për Gazeta Enigma ka thënë se njoftimet për barrikadim të pikave kufitare paralajmërojnë cënimin e sigurisë në Kosovë.

“Ekziston rreziku që për shkak të veprimeve që Kosova ka marrë së fundmi me mbylljen e institucioneve paralele në atë pjesë, serbët lokal të organizojnëprotesta të dhunshme”, tha Elezi.

Tutje ai tha se “ekziston rreziku se Rusia dhe Serbia të përdorë këtë lloj revolte të qytetarëve serb për të organizu aktivitete të cilat do të cënojnë rëndë sigurinëe Republikës së Kosovës dhe do të bëhen burim i zjarrit duke vazhdu kështu edhe me Bosnjën dhe Hercegovinën e kështu të kemi një vatër të re krize në Ballkan dhe të cënojnë apo kërcënojnë sigurinë e Bashkimit Evropian”.

Pikat kufitare të cilat janë paralajmëruar të mbylljen janë ato në Bërnjak, Jarinje, Mërdare, Dheu i Bardhë dhe Kullë. /Gazeta Engima

Related Articles