Komuna e Prishtinë, ajo e Gjilanit dhe Kamenicës kanë dështuar në votimin e buxhetit për vitin 2025, shkruan Gazeta “Enigma”
Kuvendi i Komunës së Prishtinës më 30 shtator ka mbajtur mbledhjen e fundit ku ka dështuar votimi për buxhetin për vititn 2025 në mungesë të kuorumit.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, këtë veprim e ka quajtur “tendencë për bllokadë”.
Buxheti për vitin 2025 për Prishtinën pritet të jetë 128 milionë euro, sipas prezantimit që bëri drejtoresha e financave, Valbona Makolli.
Petrit Reçica, ansambleisti nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje në një përgjigje për Gazetën “Enigma” duke e komentuar veprimin e tyre për bojkotim të votimit të buxhetit për vitin e ardhshëm ka theksuar se “ne nuk jemi vetëm makinë e votimit”.
Tutje ai ka theksuar se sigurimi i votave është përgjegjësi e ekzekutivit, jo edhe e opozitës.
“Arsyeja bazë ka qenë se ne nuk jemi vetëm makinë e votimit, kjo është përgjegjësi e ekzekutivit për me i siguru votat e para, e dyta është që nuk është konsultuar asnjë moment kryetari Rama me neve si opozitë se çka po mendojmë, çka po dojmë me ndrru, çka po dojmë me shty përpara në këtë buxhet”, tha Reçica për Gazetën “Enigma”.
Ai ka renditur edhe disa arsyet tjera, që sipas tij kanë ndikuar që ai edhe subjekti i tij të mos e votojnë buxhetin.
“Arsyeja tjetër është se shumicën e premtimeve që i ka bërë në fushatë, premtimet megalomane që i ka pasur shumicën prej tyre nuk i ka në linja buxhetore për me i realizu”, ka deklaruar ai.
“Plus, kjo ka qenë mbkledhje e jashtëzakonshme nuk ka aqenë mbledhja e regullt. Ne i kemi dërguar disa komente në mbledhjen e pare të jashtëzaonshme na kanë thënë se ju kthejmë përgjigje dhe nuk kanë kthyer”, tha Reçica.
“Ne nuk jemi për me blloku procesin, por injoranca e tyre po na qon drejt kësaj rruge”
Tutje Reçica ka theksuar se “procesin janë duke e bllokuar vetë ekzekutivi, por po mundohen me e lënë fajin opozitës e sidomos Lëëvizjes Vetëvendosje për bllokim të proceseve”.
E përpos kryeqytetit, probleme në miratimin e buxhetit të vitit të ardhsëm, ka edhe Komuna e Gjilanit, që udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.
Opozita që i ka ulëset shumicë në Kuvend, LDK-ja, po e kushtëzon pjesëmarrjen me transmetim medial.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me Ismajl Kurteshin nga partia në pushtet në këtë Komunë, LVV, i cili ka theksuar se nuk ka unitet mes partive përndryshe do të kishte kaluar buxheti.
“A ka unitet a jo, kjo po shihet prej aeroplanit siq thotë populli. Po të kishte unitet buxheti do të ishte shqyrtuar dhe të kishte kaluar në muajin shtator, sot kemi hyrë në muajin tetor dhe ne në Kuvendin e Gjilanit ende nuk kemi arritur me e fut si pike të rendit të ditës këtë çështje shumë të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit”, deklaroi Kurteshi.
Tutje ai ka njoftuar se në këtë komunë të mërkurën e 2 tetorit do të mbahet një seancë e jashtëzakonshme që e ka ftuar opozita.
“Shpresoj që nesër (e mërkurë) në një seanë të jashtëzakonshme që e ka ftuar opozita e që unë do të marr pjesë edhe e kom nënshkruar pjesëmarrjen time, do të diskutojmë bashkë dhe e kom ndërmend me apelua seriozisht që të gjitha palët të ulen dhe të bëjnë kompromis sa I përket projekteve që duhet të hynë në buxhetin e vitit 2025 dhe ta kalojmë buxhetin”, tha ai.
“Nuk ka unitet mes partive përndryshe do të kishte kaluar buxheti”
Kurteshi i cili dikur ishte deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se problemi kryesor është mos uniteti i partive.
“Po, unë kam apeluar edhe më herët kur ishte fjala për nja 2.5 milionë euro që janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të pozitës dhe opozitës e që me bllokimin e atyre mjeteve po e pësojnë shumë organizata jo qeveritare, grupe të ndryshme të interest që meritojnë me i pas ato para në buxhetin e tyre, por fatkeqësisht edhe ajo nuk ka kaluar”, theksoi tutje ai.
Tutje Kurteshi ka bërë një apel që pozita dhe opozita ta gjejnë një gjuhë të përbashkët që ti tejkalojnë këto vështirësi dhe të jenë në shërbim të qytetarëve duke e votuar buxhetin.
“Unë mendoj që pavarësisht pozicioneve të ndryshme që ka gjithmonë pozita dhe opozita kur vjen puna për disa çështje të interesit të përbashkët të komunave, po them më konkretisht për këshilltarët komunal ata duhet ta gjejn një gjuhë të përbashkët, me dëgjua njëri tjetrin, mos me i injoru as ekzekutivi kuvendin dhe as kuvendi mos me u mundua me gjetur arsye për me blloku punën, në vend se me u mundua me gjetur mënyrën për me i tejkalua ato vështirësi dhe me qenë në shërbim të qytetarëve duke e votuar buxhetin”, deklaroi Kurteshi për “Enigmën”.
Edhe në Kuvendin Komunal në Kamenicë nuk ka kaluar projekt buxheti për vitin 2025-2027.
Kuvendi Komunal i Kamenices më 30 shtator mbajti seancën e rregullt të punës ku ishin të parapara tri pika të rendit të ditës, ndër to edhe projekt buxheti per vitin 2025-2027, por me 10 vota pro dhe me 11 kundër nuk u miratua buxheti komunal. /Gazeta Enigma/