Të hënën e 28 tetorit Qeveria e Serbisë ka njoftuar se ka miratuar projektligjin për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Miratimi i këtij legjislacioni ishte paralajmëruar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të shtatorit, duke thënë se një Prokurori Speciale dhe një trup gjykues special “do t’i ndjek penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.
“Zgjidhjet e propozuara ligjore parashikojnë që juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd”, tha Qeveria serbe.
“Më 13 shtator, presidenti serb Vuçiq njoftoi se legjislacioni për organizimin e juridiksionit të organeve gjyqësore serbe për zonën e Kosovës do të miratohej nga Kuvendi i Serbisë brenda 45 ditëve. Siç tha Vuçiq asokohe, prokuroria do të ketë “detyrë të veçantë të hetojë dhe të ndjekë penalisht veprat penale dhe të kundërligjshme të punonjësve dhe zyrtarëve të institucioneve në Prishtinë”.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me njohësin e drejtësisë, Anton Nrecaj, i cili ka deklaruar se ky veprim nga ana e shtetit serb është kërcënim dhe një tendencë për të destabilizuar vendin.
“Kjo është një kërcënim në aspektin juridik të cenimit të zyrtarëve të vendit juridik dhe kushtetues sepse një shtet tjetër nuk mund të bëj një propozim një ligj për një shtet tjetër ndaj të cilëve duhet të ketë ndjekje penale”, tha ai.
Tutje ai ka shtuar se “Republika e Serbisë po tenton të hakmerret me kuotë ligjore kundër veprimeve dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës në veriun e vendit”.
Sipas Nrecaj kjo e dëmton edhe aspektin politik dhe atë juridik, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Mbi bazën e këtij vendimi të gjithë zyrtarët e institucioneve të Republikës së Kosovës mund të jenë cak i arrestimeve ose fletarrestimeve nëse kalojnë në territorin e Republikës së Serbisë”, tha avokati për “Enigmën”.
Tutje Nrecaj ka theksuar se nuk ka sens që Serbia të takohet në Bruksel me zyrtar dhe krerë të shtetit të Kosovës pas këtij vendimi.
“Për sa i përket fushëveprimit mbetet në politikën, në aspektin politik në Republikën e Kosovës, zyrtarëve, kryeministrit dhe dikastereve përgjegjëse që e njohin këtë vendim ta ngrisin në nivel shumë shqetësues edhe në aspektin diplomatik sepse nuk ka kuptim nëse Serbia nxjerrë një vendim të tillë nga njëra anë dhe nga ana tjetër takohet në Bruksel me zyrtar dhe krerë të Shtetit të Kosovës”, tha avokati.
“Haptazi është një cenim, një tendencë për të destabilizuar vendin, për të ngritur edhe një konflikt të paqenë si shenjë hakmarrje ndaj veriut të vendit”, u shpreh Nrecaj.
Analisti politik Gazmir Raci për Gazetën Enigma e ka cilësuar vendimin e autoriteteve serbe si ilegal dhe të jashtëligjshëm.
“Është ilegale, është e jashtëligjshme , është në kundërshtim me frymën e marrëveshjes së Brukselit. Serbia me nënshkrimin e marrëveshjes në 2013 i ka shuar të gjitha strukturat paralele në sektorin e Policisë, Prokurorisë dhe hetuesisë, kjo është rikthim në pikën zero”, tha Raci për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka shtuar se “Bashkimi Evropian duhet ta dënoj ashpër këtë veprim nëse e miraton këtë projektligje Kuvendi i Serbisë”.
“Kjo është shkelje flagrante e Marrëveshjes së Brukselit, pastaj shkelje e planit Franko-Gjerman sepse është ndërhyrje direkte e Serbisë në sistemin e drejtësisë në Kosovë Bashkimi Evropian nuk duhet ta lejoj me kalu sepse është në kundërshtim me frymën e integrimit evropian edhe të vet Serbisë”, deklaroi ai.
E ndryshe prej herave të tjera kur BE-ja “hesht” për shkeljet e Serbisë, kësaj radhe ata reaguan me kohë.
Nabila Massralli, zëdhënëse e BE-së për çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë, e kritikoi vendimin e autoriteve serbe.
“Qysh prej Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013, Kosova dhe Serbia kanë obligime të qarta për sa i përket juridiksionit. Draft-ligji që shpall Kosovën si zonë të mbrojtjes së veçantë dhe i jep autoriteteve gjyqësore kompetenca për të hetuar veprat kriminale në Kosovë përbën shkelje të obligimeve të dialogut dhe është në kundërshtim me përkushtimin e Serbisë në këtë proces”. Kujtojmë se ky reagim është një nga përgjigjet më të qarta të BE-së ndaj masave që Serbia ka thënë se do t’i ndërmarrë në lidhje me Kosovën. /Gazeta Enigma/