“Trump mund ta sjellë njohjen nga Spanja” – Fitorja e Harris apo Trump i konvenon më shumë Kosovës?

“Trump mund ta sjellë njohjen nga Spanja” – Fitorja e Harris apo Trump i konvenon më shumë Kosovës?


Qytetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot po hedhin votat e fundit, për të zgjedhur presidentin e 47-të. Në garë për president janë nënpresidentja e tanishme Kamala Harris dhe ish-presidenti Donald Trump, shkruan Gazeta Enigma.

E sot sytë e gjithë botës janë kah Amerika. Kjo për shkak të fuqisë amerikane që ka anembanë globit, e sigurisht edhe në Kosovë.

Por zgjedhja e cilit kandidat është më e favorshme për Kosovën dhe qytetarët e saj?

Analisti i çështjeve politike, Dritëro Arifi, thotë për Gazetën Enigma se nuk pret që njëri nga dy kandidatët të fokusohet shumë në çështjen e Kosovës dhe problemeve të saj me Serbinë, por nënvizon një përfitim më të dukshëm nëse president zgjidhet Donald Trump.

Ai madje thotë se me presidenten Kamala Harris, Qeveria Kurti do të ketë probleme, për shkak të siç thotë ai, mosdëgjimit të kryeministrit Albin Kurti karshi këshillave të SHBA-së.

“Me Harrisin nuk do të ndryshojë gjë, do të jetë jeta e vështirë për Qeverinë Kurti 2, sepse nuk do t’ia falin, pasi që një vend i vogël me 1.5 milion banorë nuk mundet ta detyrojë një super-fuqi që ta ndryshojë politikën e jashtme. Ndërsa nëse fitojnë Republikanët, prapë Kosova nuk humb si Kosovë – ndoshta edhe mund të përfitojë më shumë, por varësisht se kush do të jetë në Qeveri”, tha analisti politik.

“Trumpi mund ta sjellë njohjen nga Spanja”

Arifi madje parashikon një njohje të shtetit të Kosovës nga Spanja, nëse Trumpi e kërkon me ngulm një gjë të tillë.

“Unë mendoj se me Trumpin mund të përfitojmë më shumë, sepse nëse Kosova lëvizë, është i vetmi president që mund ta detyrojë Spanjën që ta njoh Kosovën, në një mënyrë figurative “duke ia dridhur tavolinën”, siç e ka bërë me Izraelin.

Gjithmonë nëse Qeveria e Kosovës di t’i përshtatet politikës së SHBA-së. Me Republikanët, gjërat mund të lëvizin më shpejtë, dhe më në favor të Kosovës, deklaroi Arifi për Gazetën Enigma.

“Kurti ka vlerësuar që Leposaviqi është më i rëndësishëm sesa Uashingtoni”

Profesori universitar tutje shprehet se SHBA-ja nën udhëheqjen e Joe Biden ishte rasti më i mirë për Kosovës që ta çojë çështjen e vetë përpara, por se sipas tij, për këtë nuk u mundua Qeveria Kurti.

“Sa i përket Ballkanit, unë besoj që as njëri e as tjetri nuk ka njohuri specifike dhe nuk kanë pasur karrierë të ndërtuar këtu, ashtu siç ka pasur administrata e Joe Biden, por duhet kuptuar që ne elitën e demokratëve e patëm katër vjet në pushtet, dhe Qeveria e Kosovës për katër vjet nuk ka arritur të lëvizë nga pika A në pikën B, me administratën që është më pro-kosovare, në kuptimin që janë edhe akterë të ngjarjeve, duke filluar nga vetë presidenti Joe Biden. Edhe sekretari Anthony Blinken ka qenë një njeri i afërt i ish-nënpresidentes Medline Albright. Pra e njohin Kosovën edhe nga aspekti profesional e edhe nga aspekti personal. E për fat të keq, Qeveria Kurti është tallur me këtë administratë, sepse ka vlerësuar që Leposaviqi është më i rëndësishëm sesa Uashingtoni”, u shpreh Arifi.

Megjithatë, opinionisti thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi nuk do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme në fokus të SHBA-së, pasi që për momentin, prioritet ka Ukraina, Izraeli e Tajvani.

“Në aspektin e politikës së jashtme, vëmendja e SHBA-së do ta ketë në fokus Ukraina dhe lufta e saj me Rusinë, sepse do të jetënjë betejë që nuk guxojnë të humbin. Fokusi i dytë do të jetëLindja e Mesme, sepse edhe atje SHBA-së i duhet ta vendos paqen atje, ndërsa fokusi i tretë i presidencës së ardhshme, i cili ende nuk është konflikt, është çështja mes Kinës dhe Tajvanit, pasi që Kina po dëshiron me kriju një dominim më të madh nërajon, e që SHBA-të nuk e duan një gjë të tillë”, përfundoi Arifi.

Lidhur me këtë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar mbi zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo është shprehur se Kosova është e bekuar që ka përkrahje bipartizane në ShBA si me demokratët ashtu edhe me republikanët.

Osmani nënvizoi se ShBA-të janë aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale.

Kë e duan kosovarët?

Sipas një ankete nga Instituti Gallup, 55 përqind e qytetarëve në Kosovë e duan Harrisin si presidente të ardhshme të Shteteve të Bashkuara, me vetëm 27 përqind të tjerë që e përkrahin Trumpin.

Megjithatë, kjo ndryshon në Serbi, me 59 përqind të serbëve që e përkrahin Trumpin, ndërsa 29 përqind Harrisin. /GAZETA ENIGMA

Related Articles