Rasti “Dehari”, dëshmi e dështimit të Prokurorisë Speciale

Rasti “Dehari”, dëshmi e dështimit të Prokurorisë Speciale

Vdekja e dyshimt e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit ende mbetet pa epilog, teksa një gjë e tillë vlerësohet se dëshmon mos efikasitetin e sistemit të drejtësisë në vend, shkruan Gazeta Enigma.

Me rastin e 8 vjetorit të vdekjes së tij, kryeminstri I Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Prokuroria e shtetit e ka mbështetjen e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Sot u mbushën 8 vjet pa Astritin. Mungon drejtësia, mungon zbardhja e këtij rasti, E kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas 8 vjetëve nëpërmjet drejtësisë që mungon. Në këto 8 vjet katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes të Astrit Deharit, por që të katërtit dolën në pension pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë, i cili e ka marrë rastin dhe ne si LVV, si Qeveri e Republikës, jemi të gatshëm, që ta ndihmojmë prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësi për Astrit Deharin”, u shpreh i pari i ekzekutivit.

“Dështimi i Prokurorisë Speciale në rastin ‘Dehari'”

Gëzim Shala, hulumtues i lartë në KDI, potencon se mungesa e një vendimi lidhur me rastin Dehari është dëshmi e dështimit të PSRK-së.

“Rasti Dehari është rasti më përfaqësues kur ka mungesë të guximit profesional nga ana e Prokurorisë për të marr vendim lidhur me këtë rast. Kur kanë kaluar tetë vite nga vdekja e Deharit, kur janë bërë ekspertiza dhe super ekspertizë, kur janë zhvilluar hetime për vite me radhë dhe ende nuk ka një vendim lidhur me këtë rast, është dëshmi e mjaftueshme për të dëshmuar dështimin e PSRK”, u shpreh Shala për Enigmën.

Sipas tij partia në pushtet po e shfrytëzon këtë rast për përfitime politike.

“Kur kësaj i shtohet fakti se janë ndërruar disa prokurorë në trajtimin e lëndës dëshmohet se PSRK se ka prioritet këtë lëndë dhe nuk ka guxim profesional ta trajtoj. E njëjta vlen për partinë në pushtet të cilët e shfrytëzojnë këtë rast për përfitime politike duke mos dëshmuar as interes dhe as përkushtim që ky rast të trajtohet në mënyrë të pavarur dhe të vihet drejtësia, por të përdoret si mjet politik”, përfunodi Shala.

Tomë Gashi: Vrasja e Astrit Deharit ishte politikisht e motivuar për të frenuar LVV-në

Në anën tjetër avokati Tomë Gashi, ka komentuar ‘ngecjen’ e zbardhjes së rastit të Astrit Deharit.

Ai thekson se Astrit Dehari është vrarë për arsye politike – me qëllim për t’u ndalur hovi i rritjes së parties së Lëvizjes Vetëvendosjes.

“Prokuroria nuk ka pasur vullnet me e pa të vërteten që është e qartë si loti se Astrit Dehari, është vrarë. Vrasja e Deharit ka qenë për arsye politike në tentative për të ndalur hovin e rritjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Prokuroria deri tani, për 8 vite nuk ka nxjerrë vendim për zhvillim të hetimeve me të cilat hetime do të identifikonin vrasësit e Astrit Deharit”, u shpreh Gashi për Enigmën.

“Shtytësit në vrasje dhe ata zyrtarë që deri më sot po i mbajnë të fshehta provat që vërtetojnë vrasjen e Deharit. Rasti është puro politik, këtë e dëshmon fakti se të gjithë aktivistët e LVV-së janë liruar nga akuzat fallce, se kinse kanë qenë të involvuar në gjuajtjen e ndërtesës së parlamentit me granathedhës”, vazhdoi Gashi.

Avokati potencon se Qeveria vazhdimisht i ka ofruar bashkëpunim Prokurorisë, por që kjo e fundit nuk ka kërkuar ndihmë asnjëherë.

Gashi deklaron se për 8 vite që është rasti nën hetim, disa prokuror kanë dhënë deklarata të rrejshme me shkak të fshehjes së të vërtetës.

“Qeveria i ka ofruar bashkëpunim dhe mbështetje Prokurorisë lidhur me këtë çështje, po rata nuk kanë kërkuar ndihmë asnjëherë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e kanë luftuar publikisht në media rastin që vetë e kanë nën hetim tash e 8 vite duke dalur prokuror të caktuar me deklarime fallco dhe të pa bazuara në asnjë prove. Me qëllim për të krijuar opinion të gabueshëm – të rrejshëm tek qytetarët e Kosovës. Me të vetmin qëllim për ta fshehur të vërtetën e vrasjes së Astrit Deharit, gjë që besoj se edhe ata vetë e dijnë më mire se çdo kush tjetër se Dehari është vrarë, sepse ata i kanë provat”, përfundoi Gashi për Enigmën.

Babai i Astrit Deharit, deputeti Avni Dehari, ka shprehur shqetësim për vonesat në zbardhjen e rastit, duke akuzuar gjyqësinë për manipulim.

Ai theksoi se “humbja e jetës së Astritit në burgun e Prizrenit po manipulohet e keqtrajtohet nga gjyqësia e Kosovës për më shumë se 8 vjet.” Kurse, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk janë deklaruar lidhur me çështjen e Astrit Deharit.

Si u raportua vdekja e Astrit Deharit?

Më 5 nëntor 2016, u raportua për vdekjen e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Fillimisht, Policia e Kosovës njoftoi se vdekja e Deharit ishte shkaktuar nga përdorimi i medikamenteve, një deklaratë që më vonë u mohua nga ish-drejtori i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.

Vdekja e Deharit, që ndodhi pas 68 ditësh paraburgim, shkaktoi dyshime të shumta dhe kërkesa për hetime të mëtejshme. Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, tha se kishte vërejtur shenja gërvishtjesh në qafë dhe duar, por pa gjak, dhe se kishte informacione për përdorim medikamentesh. Kjo ngriti dyshime se vdekja mund të kishte qenë e dhunshme.

Ministria e Drejtësisë, nën udhëheqjen e Dhurata Hoxhës, nisi hetime për zbardhjen e rrethanave të vdekjes, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e cilësoi atë si një rast të montuar dhe si përgjegjësi institucionale.

Më 7 nëntor, u krye autopsia e trupit të Deharit, dhe ekspertët konfirmuan se vdekja ishte shkaktuar nga asfiksia. Kjo përforcoi dyshimet për mundësinë e një vrasjeje, duke nxitur reagime të forta nga familja e Deharit dhe mbështetësit e tij, të cilët kërkuan hetime më të thelluara për zbardhjen e plotë të ngjarjes./GazetaEnigma/

Related Articles