Kosovarët “të dashuruar” me Shqipërinë, s’iu bëhet vonë për liberalizim të vizave – 2.4 milion turist në shtatë muaj

Kosovarët “të dashuruar” me Shqipërinë, s’iu bëhet vonë për liberalizim të vizave – 2.4 milion turist në shtatë muaj

Shqipëria për vite me radhë ka qenë destinacioni kryesor i pushimeve për familjet nga Kosova, shkruan Gazeta Enigma.

Të izoluar nga shtetet perëndimore, në pamundësi të lëvizjes së lirë, kosovarët me ose pa dëshirë, Shqipërinë e kanë pasur pothuajse të vetmen zgjidhje për pushimet e tyre.

Me t’u marrë vendimi për liberalizimin e vizave, në opinionin publik nisi të qarkullonte lajmi se, turistët nga Kosova do t’i braktisnin plazhet e bukura të Shqipërisë, për t’i zhvendosur pushimet e tyre në destinacione të reja, të pa eksploruara më parë.

Mirëpo a ndodhi një gjë e tillë?

Gjatë vitit 2024, në vetëm shtatë muajt e parë të vitit, Shqipërinë e vizituan hiq më pak se 2.4 milion kosovar nga 6.3 milion turist sa ishin gjithsej.

Shifër kjo që hodhi poshtë çdo pretendim të mundshëm.

Këto të dhëna u publikuan nga shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama.


Këto statistika dëshmojnë më së miri edhe njëherë lidhjen që kanë dy shtetet mes vete.

Të punosh në Shqipëri – Afaristi nga Gjilani jep detaje

Selver Xhelili, është njëri ndër afaristët më të suksesshëm i cili tash e disa kohë bën jetë mes dy vendeve.

Sa në Shqipëri e sa në Kosovë, të përditshme i ka kontaktet me turistët.

Ai për Gazeta Enigma ka ndarë më shumë detaje lidhur me punën e tij në kompleksin që ai posedon në Jug të Shqipërisë.

“Numri i turistëve nga Kosova ka qenë në rritje më të madhe se në vitin 2023.
Shqipëria gjatë vitit 2024 e ka kuptuar se faktor kryesor i ka turistët që vijnë nga Kosova, kjo për shkak se kosovarët edhe gjatë kohëve më të vështira, si pandemia, nuk e kanë tradhëtuar bregdetin shqiptar”, thotë afaristi nga Gjilani.

Xhelili më tej tregon se cilat qytete vizitojnë më shumë Jugun e Shqipërisë, përkatësisht Ksamilin, ku ai edhe punon.

“Jugun më shumë e vizitojnë më shumë nga Prishtina, Peja dhe Gjilani, kryesisht nga këto qytete, por natyrisht edhe nga të tjerat, derisa bregdetin e Shëngjinit e vizitojnë më shumë Gjakova, Prizreni, edhe për shkak të afërsisë që e kanë”, shtoi tutje ai.

Mirëpo liberalizimin e vizave, Xhelili e sheh deri diku si “kërcënim” për Shqipërinë, nëse kjo e fundit nuk merr masa sa i përket çmimeve të cilat janë aktualisht sipas tij nuk janë shumë të arsyeshme.

Çka i lidh kosovarët me Shqipërinë ? – flet turisti

Ilir Isufi nga Kamenica për Gazeta Enigma ka treguar lidhshmërinëe tij me bregdetin shqiptar.

“Arsyeja që e vizitoj Shqipërinë dikur ka qenë vetëm ajo e turizmit, më pëlqen t’i shoh nga afër bukurit që ofron natyra atje, natyrisht edhe kosto është më e lirë, ndërsa tash e disa kohë më lidh edhe familja, kam gruan nga Durrësi”, u shpreh ai.

Kujtojmë se edhe gjatë 2023-tës Shqipërinë e kanë vizituar më së shumti kosovarët, duke kapur kuotën e 4.4 milionë vizitorëve. /Gazeta Enigma

Related Articles