A po shkon Komuna e Gjilanit drejt kolapsit? – Miratimi i buxhetit për vitin 2025 pritet të dështoj sërish

A po shkon Komuna e Gjilanit drejt kolapsit? – Miratimi i buxhetit për vitin 2025 pritet të dështoj sërish

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë thirrje publike për të gjitha grupet parlamentare që të votojnë në favor të buxhetit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Sipas Hysenit ky buxhet është thelbësor për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit.

“Nga muaji tetor është bllokuar buxheti dhe nuk po miratohet nga ana e këshilltarëve komunalë që e kanë shumicën në Kuvendin Komunal. Tashmë është afati i fundit për miratim dhe në rast të mos kalimit këto mjete kthehen në buxhetin e shtetit”, ka thënë kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, sipas të cilit, gati 40 millionë euro është buxheti për vitin 2025, ndërsa 2.5 milionë euro janë bartje nga 2023 në 2024.

Tutje ai ka shtuar se “ky është bilanci që po humbin qytetarët tanë nga barrikadimi opozitar për të dëmtuar qeverisjen në kurriz të qytetarëve”, tha Hyseni.

“Mos votoni për ne, mos votoni për veten, votoni për qytetin e qytetarët” – ishte porosia e tij e fundit.

Ndërkohë, opozita e përfaqësuar nga Riad Rashiti i PDK-së , ka konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, por ka deklaruar se nuk do të votojnë pë buxhetin.

“PDK ka qenë dhe mbetet aktive në secilën seancë të Kuvendit Komunal, për secilën temë diskutimi si pjesë e vendimarrjes për interesin qytetar të Gjilanit”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, në një përgjgije për Gazetën “Enigma” ka thënë se “PDK do t’a votojë buxhetin vetëm atëherë kur kryetari i Gjilanit e respekton procedurën ligjore dhe kur të heq dorë nga shkeljet dhe keqpërdorimet e mëdha buxhetore”.

Rashiti ka shprehur rezerva për mënyrën se si është hartuar dhe ndarë ky buxhet, duke theksuar mungesën e trasparencës, dhe keqpërdorimin e ebuxhetit nga pushteti aktual.

“Përderisa ky pushtet po vazhdon me keqpërdorë skajshëm buxhetin komunal prej miliona euro, përmes subvencioneve për familjarët e udhëheqësve të VV-së, përmes punësimeve të familjarëve dhe pagave të jashtëligjshme, përmes tenderëve korruptues dhe shumë shpenzimeve të pakontrolluara nëpër hotele luksoze”, tha Rashiti.

PDK nuk do ta votoj buxhetin

“PDK nuk do të votojë këtë buxhet të propozuar nga krye i korruptuari dhe krye keqpërdoruesi i parasë publike. Ne dhe pak kohë presim që të veprojë hetuesia, përndryshe në kohën e duhur PDK do të dëshmojë publikisht se pse po heshtë një sistem i tërë i drejtësisë në Gjilan”, tha Rashiti për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se “llogaridhënia dhe kthimi i ligjshmërisë në punën e institucioneve tona, është detyrë dhe përkushtim i të gjithë neve, për të kthyer në binar funksionimin normal të qeverisjes komunale por edhe qendrore”.

LDK në mëdyshje?

Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe me zyrtar nga LDK në Gjilan, por të njëjtin nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit.

Edhe Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka dal me njoftim se të enjten do të mbahet një mbledhje urgjente.

Në njoftim thuhet se në rendin e ditës janë dy pika kryesore: bartja e buxhetit dhe miratimi i buxhetit për vitin 2025.

“Kuvendi i Komunës së Gjilanit mban nesër (12.12.2024), mbledhje urgjente me dy pika të rendit të ditës: bartja e buxhetit dhe miratimi i buxhetit për vitin 2025. Mbledhja urgjente mbahet me fillim në orën 10:00, në sallën e mbledhjeve”, thuhet tutje në njoftim.

Kujtojmë se më 8 nëntor, në mungesë kuorumi, pati dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi partitë opozitare LDK dhe PDK nuk kanë qenë prezentë në sallë. /Gazeta Enigma/

Related Articles