Hetimet për shpërthimin në kanalin ujor “Ibër-Lepenc” janë duke vazhduar dhe akuzat e ndërsjella konsiderohen të panevojshme. Ftojmë të gjithë që ta lejojnë hetimin të marrë rrjedhën e vet.
Kështu ka thënë në një intervistë për RTK2, Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Kosovë.
“Përfaqësuesi i Lartë e cilësoi këtë incident si ngjarje terroriste, të rëndë dhe tani jemi në fazën e hetimit. Nuk mendoj se duhen akuza të tilla, duhen prova. Le ta lëmë hetimin të marrë rrjedhën e tij. Të gjithë aktorët, siç thashë edhe më parë, duhet të përmbahen nga akuzat që mund të cenojnë stabilitetin dhe të shkaktojnë frikë te qytetarët. Deri më tani nuk kishte asnjë informacion të qartë për të vërtetuar identitetin e autorëve. Prandaj, duhet ta lëmë hetimin të vazhdojë”, tha Rohde.
I pyetur për vlerësimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mundësinë e kthimit në dialog, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka theksuar se dialogu nuk ka alternativë.
“Gjermania dhe Franca ndajnë të njëjtat analiza kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi thellësisht të bindur se dialogu nuk ka alternativë dhe është e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemeve dhe normalizimin e marrëdhënieve. Është e nevojshme për qytetarët e Kosovës, por edhe të Serbisë”, tha ambasadori Guerot.
“Mungesa e rezultateve në dialog tregon se sa e rëndësishme është arritja e një dialogu të suksesshëm, sepse ndikon drejtpërdrejt në jetën e njerëzve në Kosovë”, theksoi ambasadori francez. /GazetaEnigma/