Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se partia në pushtet i ka hajnat dhe ata që kanë bërë miliona për 12 vjet bashkëpunëtorët më të mirë.
Tahiri në seancën plenare, tha se qeveria aktuale po del një zhgënjim i madh, teksa shtoi se nepotizmi po del të jetë vlera më e madhe e saj.
“Po më vjen mirë që ju po dilni një zhgënjim i madh, ju po dilni një mashtrim i madh, sepse po më vjen mirë që sot jeni shndërruar në një ndërmarrje të madhe për punësime familjare. Ju nuk dini asgj ë tjetër, ju nuk keni haber për ekonomi, ju nuk keni haber për sundimin e ligjit, ju hajnat i keni bashkëpunëtorët më të mirë, ata që vjedhin, ata që i kanë bërë milionat për 12 vite e që janë shefa të prokurimeve nëpër ministri të ndryshme, ata janë bashkëpunëtorët e juaj më të mirë. Ju sot po e tregoni veç fytyrën e vërtetë, ju sot veç hajnat nuk guxoni me i dërguar në burg, sepse vjedhin për juve, bashkë me juve”, tha ai.
Sipas tij, LVV po i zhgënjen edhe aktivistët e saj duke punësuar nipa, dajë e halla.
“Besa po i zhgënjeni edhe aktivistët e juaj, se a po e shihni më shumë ka përparësi nipi, daja e halla, sesa aktivisti. Pra, sot ju po ia tregoni fytyrën edhe atyre që kanë vrapuar me ia mbledh votat e juaja”, tha ai, duke theksuar se nuk ka dalur në publik çka pritet të dal në ditët në vijim.