Pas shkarkimit të Bordit të RTK-së me një shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës, të pakënaqur me këtë vendim janë shprehur nga ky bord, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ish kryetari i bordit të RTK-së, Sali Bashota e ka cilësuar si të kundërligjshëm e të padrejtë vendimin e legjislativit.
“Është veprim antiligjor, një ndërhyrje tipike politike me veprime tendencioze ndaj anëtarëve të bordit, shumica prej tyre me karrierë profesionale në fushën e medias”, tha ai për Gazetën “Enigma”.
Ai madje ka thënë se për këtë vendim do ankohen në gjitha gjykatat vendore, e edhe në atë Kushtetuese. “Prej gjykatës kushtetuese e gjitha gjykatat e tjera, sepse është veprim anti-ligjor dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Raporti i Auditimit i vitit 2020 ka qenë një ndër raportet më të mira për vlerësimin e punës së bordit apo menaxhmentit, dhe kjo është ndërhyrje politike nga një parti që don t’i fus militantët e vet në institucione private”, theksoi tutje ai.
Ndërkaq, pas shkarkimit të bordit ka reaguar edhe anëtari, Bajram Mjeku.
Ai ka publikuar letrën që ia kishte dërguar Kryetares së Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ku kërkonte themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.
Në letër, Mjeku kishte paralajmëruar se nëse do të shkarkohej nga Kuvendi do ta konsideronte vendim politik dhe do ta dërgonte rastin në Gjykatë.
“Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit”, thuhej në letër.
Anëtarët Sali Bashota dhe Agron Gashi janë shkarkuar me 64 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.
Me po kaq vota, janë shkarkuar edhe anëtarët Lirim Geci dhe Ilir Bytyqi. Deputetët kanë votuar edhe për shkarkimin e Albinot Malokut dhe Bajram Mjekut. ./Gazeta Enigma.