Gjithçka që ndodhi në Bruksel në takimin tre palësh midis Kosovës dhe Serbisë?

Gjithçka që ndodhi në Bruksel në takimin tre palësh midis Kosovës dhe Serbisë?


Në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të martën Kosova dhe Serbia patën një përballje në Bruksel, shkruan Gazeta Enigma.

Pas negociatave të kryesuara nga Lajçaku, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, “ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi pas takimit me palën serbe, ka thënë se në fillim të takimit trelateral, emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajççk, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit, teksa ka kërkuar hetim të plotë.

“Në takimin bilateral kemi trajtuar tema të ndryshme të rëndësishme, ku te IBM-i kemi diskutuar për mundësinë e riaktivizimit të grupit të përbashkët për implementim, në mënyrë që të trajtohen temat me rëndësi, si ajo e aktivizimit të pikave kufitare në Izovr dhe Kapi, mundësia e hapjes së pikave kufitare sezonale në Mohovc, Breznicë dhe Dobrosin”.

“Pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24 orëshe të inspektorëve fito-sanitarë te Dheu i Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin e 13 certifikatave fito-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”.

Tutje ajo shtoi se “Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku i kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos mosaktivizimin e linjave të interkoneksionit, po ashtu edhe sabotimin që Serbia po ia bën marrëveshjeve të Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale”.

Më tej, Bislimi tha se me Lajçakun, kanë trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku tha se ka brenga në BE që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë.

Sa i përket Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit, Kosova ka theksuar nënshkrimin dhe zbatimin në tërësi të tyre.

Përveç këtyre temave, në takimin mes kryenegociatorëve janë diskutuar edhe tema të tjera.

Liria e lëvizjes, energjia e çështja e targave janë disa nga temat për të cilat është folur në dialog.

“Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.

“Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit. Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Marrëveshja për personat e Zhdukur – çka parasheh?

Ndonëse nuk janë dhënë shumë detaje, nga Qeveria e Kosovës kanë theksuar përmes një njoftimi se pas negociatave të gjera të kryesuara nga Lajçaku, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, “ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar nga presidenti i Serbisë Alleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 2 maj 2023”.

Në këtë njoftim thuhet se Komisioni i Përbashkët i kryesuar nga Lajçaku do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur.

“Për identifikimin e vendeve të varrezave dhe gërmimet pasuese; Për aksesin në informacione të sakta dhe të besueshme, duke përfshirë të gjithë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar, përdorimin e të dhënave satelitore, Dritën dhe Zbulimin dhe Rangimin (LIDAR) dhe teknologjinë e avancuar për zbulimin e varrezave masive; Dhe respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur”, thuhet në njoftimin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.

Komisioni i Përbashkët gjithashtu thuhet se do të monitorojë dhe mbështesë Kosovën dhe Serbinë në avancimin e bashkëpunimit të tyre nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).

“BE-ja mirëpret që Kosova dhe Serbia riafirmuan se çështja e Personave të Zhdukur është një shqetësim humanitar dhe theksuan nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të mbyllur rastet për familjet e prekura dhe komunitetin e gjerë. Nga 6,065 rastet e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, 1,607 mbeten të pazgjidhura”.

Si sukses e kanë konsideruar nga BE-ja këtë takim. Sipas tyre është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.

“Është në dobi të drejtpërdrejtë të njerëzve në Kosovë dhe Serbi. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të fillojnë punën e zbatimit të Marrëveshjes në tërësi”, u tha në komunikatën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së.  / Gazeta Enigma.

Related Articles