Në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për më 9 shkurt 2025 në Kosovë, tensionet politike midis partive kryesore kanë nxjerrë në pah “vijat e kuqe” që ato kanë vendosur kundrejt njëra-tjetrës, të cilët nëse ndodhë sikur në të kaluarën mund të fshihen pas rezultatit final zgjedhor, shkruan Gazeta Enigma.
Për të krijuar një shumicë të qëndrueshme parlamentare në Kuvend, partitë duhet të krijojnë koalicione paszgjedhore.
Kjo nuk pati arsyje të ndodhë në zgjedhjet e kaluara sepse Lëvizja Vetëvendosje i fitoi bindshëm me koalicionin parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, duke arritur ta formojnë vetë kabinetin qeveritar.
Ndërkohë kandidatja e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është deklaruar se partia e saj nuk do të hyjnë në koalicion me asnjërën nga partitë aktuale në opozitë.
Pacolli tha nëse nuk e arrijnë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara do të mbesin në opozitë.
“Jo, me asnjë (parti nuk do të hyjmë në koalicion). Më mirë do të qëndronim në opozitë, sesa do të hynim në koalicion me ndonjë parti ekzistuese aktuale tani”, tha ajo.
Nga partia më e madhe opozitare PDK, kanë deklaruar se nuk kanë vija të kuqe me asnjë parti për koalicion paszgjedhor, madje as me oponentin kryesor, LVV-në.
“Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë ka qenë e orientuar drejt të mirës së vendit dhe shtetndërtimit të Kosovës. Si parti e përgjegjshme, nuk vendosim vija të kuqe. Përndryshe kjo do të nënkuptonte përjashtimin e atyre subjekteve nga sistemi politik dhe zgjedhor”, ka thënë deputeti i kësaj partie, Hisen Berisha.
Ai për Gazetën Enigma ka theksuar se kjo parti do të ketë rezerva ndaj subjektve që bien ndesh me parimet e tyre.
“Megjithatë, duhet të theksojmë se PDK ka parime të qarta për bashkëpunimin me forcat politike, të cilat duhet të përfaqësojnë frymen e kushtetutes së vendit, vlera demokratike, integritet shtetëror dhe orientim euroatlantik”, tha ai.
“Subjektet politike që kanë pasur një histori të errët veprimesh kundër institucioneve shtetërore, që kanë cenuar rendin dhe ligjin me mjete të dhunshme, nuk janë të denja për të qenë partnerë në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Për shembull, veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në të kaluarën, duke përfshirë akte me mjete terroriste ndaj institucioneve të shtetit, me theks ndaj Policisë së Kosovës, kanë dëmtuar thellësisht kredibilitetin e saj”, përfundoi ai.
Më herët, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, pati deklaruar se preferon një koalicion me LDK-në “për shkak të programit dhe koncepteve politike”.
AAK-ja vija të kuqe VV-së
Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, e cila do hyjë në zgjedhje në koalicion me Nisma dhe disa partnerë të tjerë, Time Kadrijaj, ka thënë se si parti kanë vija të kuqe vetëm ndaj partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Po, ne kemi vija të kuqe për VV-në”, u shpreh shkurt ajo për Gazetën “Enigma”.
Ajo tha se presin që partitë opozitare ta krijojnë qeverinë e re dhe ta largojnë nga pushteti Albin Kurti, i cili sipas saj, i ka sjellur vetëm dëme vendit.
“Unë mendoj se partitë e sotme opozitare duhet të jenë bashkë në qeverisje, dhe ta largojmë nga pushteti këtë njeri i cili ka sjell vetëm dëme Kosovës”, përfundoi ajo.
A e përjashton LDK-ja mundësinë e koalicionit me LVV?
Ndonëse dikur ishin në koalicion, kandidati për kryeminstër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se me Lëvizjën Vetëvendosje, nuk prerefon fare koalicion, për shkak të dallimeve ideologjike.
“Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi probleme të thella ideologjike, politike dhe besa edhe të mirëbesimit. Kështu që është hendek i madh”, tha Abdixhiku.
Nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami ishte edhe më e qartë.
“LDK-ja është në qeveri me Abdixhikun. Nëse ai nuk është kryeministër, LDK-ja nuk është në qeveri. Vetëm me kryeministër Lumir Abdixhikun”, ka deklaruar ajo.
Kurse kandidatja për deputete nga radhet e LDK-së, Besa Gaxherri, në prononcim për Gazetën Enigma, la të hapura “letrat” për bashkëpunim pas zgjedhor me subjektet e tjera politike.
“LDK tani për tani është e fokusuar qe ti fitoj zgjedhjet, fatmirësisht kemi ngritë një frymë fituese dhe me të drejtë presim qe të jemi subjekti parë në nivel vendi, ashtu siç jemi tash edhe subjekti parë në zgjedhjet lokale. Pas rezultatit dhe shpalljes se rezultateve zyrtare do i shfrytëzojmë procedurat ligjore e kushtetuese për të bërë koalicionet të cilat do jenë në shërbim të vendit”, tha ajo.
Analisti Amir Shabani, tha për Gazetën Enigma se ka gjasë që VV dhe PDK t’i bashkojnë forcat pas rezultatit të zgjedhjeve, me këtë të fundit që mund të kërkojë postin e presidentit.
“Sa u përket koalicioneve paszgjedhore që do të qonin drejt formimit të kabinetit të ri qeveritar, mendoj se një gjasë e koalicionimit mes PDK-së dhe VV-së mund të ekzistojë, gjegjësisht duke marë postin e presidentit PDK-ja dhe atë të kryeministrit VV-ja. Por këto janë supozime dhe hipoteza të cilat nuk mund të konsiderohen definitive deri në qartësimin e gjërave nga vet partitë apo liderët politik”, tha ai.
“Fakti se PDK-ja mund të kolaicionojë me VV-në është se një parti e dalë nga lufta është zbehur dukshëm me largimin e ish-krerëve të luftës, njëkohësisht edhe liderët e partisë (Thaçi dhe Veseli), andaj ky plan për t’i dhënë imun PDK-së mund të funksionojë.”, përfundoi Shabani.
/Gazeta Enigma/