Arlinda Kqiku
Po kthehej për në Kosovë nga vizita që i bëri djalit të saj në një nga shtetet e Bashkimit Evropian.
E teksa po kalonte nëpër kontrollet e aeroportit të këtij shteti, një kërkesë e çuditshme i erdhi E.H. “Një grua rreth të 50-tave, e cila tha se kishte shumë të holla me vete më tha që po i dërgon vëllait të tij në Kosovë një shumë monetare për ta rregulluar shtëpinë, i cili nuk i kishte kushtet finaciare të mira. Më kërkoi t’i marr 3 mijë euro të saj deri sa të kalojmë kontrollin në aeroport”, thekson E.H.
Për shkak se gruaja që i kërkoi këtë gjë ishe në moshë më të vjetër se ajo, dhe qëllimi i proklamuar nga ajo ishte humanitar, E.H nuk mendoi shumë dhe pranoi.
E.H, thotë se familjarët e kritikuan për këtë veprim, duke i theksuar pasojat ligjore me të cilat mund të përballes. Andaj ajo e thotë se asesi nuk do të pranojë të bartë para të huaja, pa ua ditur prejardhjen atyre, e aq më pak për dikë që nuk e njeh.
Kjo formë nuk e merr vëmendjen e duhur në opinion publik. Kësisoj pak njerëz e dinë rrezikun që mund të shkaktojnë veprime të tilla dhe pasojat ligjore me të cilat mund të përballen.
Paratë e gatshme ende përdoren gjerësisht në ekonominë kriminale sipas Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), e cila udhëheq aksionin global për të trajtuar pastrimin e parave, financimin dhe përhapjen e terrorizmit. Transportimi fizik i parave të gatshme përtej kufijve ndërkombëtarë është një nga format më të vjetra qw kontribon nw pastrimin e parave dhe ende përdoret shumë sot. Sipas FATF, kriminelët shpesh zgjedhin të tërheqin asetet e tyre të paligjshme nga llogaritë bankare për të ndërprerë gjurmët e auditimit duke i transportuar ato në një vend tjetër për t’i shpenzuar ose për t’i ri-futur në sistemin bankar.
Njohësi i çështjeve juridike, Anton Nrecaj, thekson rrezikun që i kanoset personave që bartin mbi 10 mije euro nëpër aeroporte apo pika kufitare.
“Korniza jonë ligjore e përcakton shumë mirë mënyrën se sa para dhe deri cilën shumë mund të kenë apo të paguajnë në kesh. Çdo shumë e cila e tejkalon vlerën prej dhjetë mijë eurosh duhet të të dëshmojë origjinën e parave. Kjo formë të qarkullimit të parasë është formë e parandalimit të krimit të organizuar dhe financimin e grupeve kriminale dhe terroriste”, thotë Nrecaj.
Ndërkohë nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë viteve 2023-2024 janë të evidentuara 23 raste të mosdeklarimit të mjeteve monetare gjatë kalimit të pikave kufitare në Kosovë. Në vitin 2023 ishin paraqitur 9 raste të mosdeklarimit të mjeteve monetare, kurse gjatë vitit 2024 ky numër është rritur në 14 raste.
Mjete montare të ndaluara gjatë vitit 2023 gjithsej janë 250,245.00 euro, kurse të konfiskuara 25% apo 62,561.25 euro. Në po të njëjtin vit janë konfiskuar edhe 35,067.50 dinarë serbë.
Shumë më e vogël e mjeteve montare të ndaluara është raportuar në vitin 2024. 181,013.00 euro janë ndaluar në total, teksa 25% e tyre rreth 45,253.25 euro janë konfiskuar.
Gjoba e kundërvajtjes për mosdeklarim të mjeteve monetare gjatë kalimit të pikëkalimeve kufitare në Republikën e Kosovës është: 25% e shumës së padeklaruar konfiskohet, kurse 100% e shumës konfiskohet me urdhër të prokurorit, nëse pala nuk ka dëshmi për prejardhjen e mjeteve monetare.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka sqaruar se 25% e shumës totale “është gjobë e cila shqiptohet dhe ekzukutohet menjëherë në rastin e mosdeklarimit të mjeteve montere, të shumës totale të instrumenteve monetare në posedim për të cilat palët kanë detyrim për t’i deklaruar”.
Kurse sa i përket lirimit të mjeteve tjera prej 75 % të shumës totale të ndaluar, lirohet atëherë kur ekzistojnë dëshmitë që dëshmojnë prejardhjen e mjeteve monetare.
“Këto deshimi ne i verifikojmë së bashku me prokurorinë dhe NJIF (Njësinë e Intelegjencës Financiare). Jo çdo dëshmi është e pranushme”, ka theksuar Stavileci.
Në dy vitet e fundit në Kosovë tetë raste janë evidentuar si raste që kanë të bëjnë me shpërlarje të parave. Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se gjatë vitit 2024 kanë hasur në tri raste që dyshohet se kanë të bëjnë me shpërlarjen e parave, kurse në vitin 2023 janë raportuar pesë raste.
Çka parasheh ligji?
Në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, çdo person që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë prej 10,000 euro apo më shumë, ose vlerën ekuivalente në valutë të huaj, është i detyruar t’i deklarojë ato pranë zyrtarëve doganorë.
“..duhet të paraqes me shkrim shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm tek zyrtari doganor. Deklarimi duhet të përfshijë të dhëna të sakta dhe të plota, dhe nëse kërkohet nga zyrtari doganor, personi duhet të paraqes edhe vetë instrumentet (mjetet monetare) për verifikim”, thuhet në ligj.
Ndërsa për personat që dërgojnë ose pranojnë mjete monetare përmes postës, ngarkesave kargo apo kuririt komercial, deklarimi duhet të bëhet në formë të shkruar dhe të përmbajë shumën dhe burimin e tyre të verifikueshëm.
“Ky detyrim mund të përmbushet edhe përmes njoftimit të përmbajtjes së pakos në deklaratën doganore ose në dokumentacionin ndërkombëtar të bagazhit”, theksohet në ligj.
Mosrespektimi i ligjit dhe masat ndëshkuese
Ligji parasheh gjobë për mosdeklarim të mjeteve monetare. Nëse një person nuk respekton detyrimin për të deklaruar mjetet monetare siç është paraparë në nenin përkatës të ligjit, Dogana e Kosovës do të shqiptojë një gjobë prej 25% të shumës totale të mjeteve monetare në posedim për të cilat ka detyrim për të deklaruar.
Po ashtu sipas ligjit, nëse gjoba e shqiptuar nuk paguhet menjëherë, zyrtari doganor ka të drejtë të sekuestrojë dhe mbajë 25% të shumës së mjeteve monetare.
“Nëse mjetet monetare nuk janë të ndashme në mënyrën që lejon sekuestrimin e shumës së saktë, zyrtari doganor do të sekuestrojë një shumë më të madhe, por sa më të përafërt me shumën që duhet sekuestruar. Pas sekuestrimit, zyrtari doganor lëshon një vërtetim me shkrim ku deklarohen faktet përkatëse, shuma e sekuestruar dhe e mbajtur”, theksohet në ligj.
Në ligj thuhet po ashtu se në rast se personi nuk mund të ofrojë burimin e verifikueshëm për shumën totale të mjeteve monetare në posedim, zyrtari doganor ka të drejtë të sekuestrojë të gjithë shumën.
“Kopjet e të gjitha deklaratave të regjistruara dhe njoftimet për çdo deklarim të pasaktë ose jo të plotë i dërgohen Njësisë për Inteligjencë Financiare të Kosovës (NjIF-K)”, thuhet në ligj.
Çka është pastrimi i parave dhe cilat janë fazat?
Task Forca e Veprimit Financiar (FATF) e përcakton pastrimin e parave si “përpunimi i këtyre të ardhurave të krimit për të maskuar origjinën e tyre të paligjshme (…) që i mundëson kriminelit t’i shijojë këto fitime pa rrezikuar burimin e tyre”.
Fazat e pastrimit të parave janë vendosja, shtresimi dhe integrimi, të cilat janë përshkruar në një raport të hartuar nga Njësia e Inteligjencës Financiare në vitin 2020.
Faza e parë është vendosja. Fondet, nga lidhja e drejtpërdrejtë me krimin, kalohen në Sistemin Financiar. Kjo mund të bëhet duke ndarë shuma të mëdha parash në shuma më të vogla që depozitohen në pas nëpër llogari, ose duke blerë instrumente monetare që depozitohen nëpër llogari në vende të tjera.
Faza e dytë është shtresimi. Gjurmët e parave maskohen nga shpëlarësit që angazhohen në lëvizjen e parave për t’i distancuar ato nga burimi. Shpesh, shpëlarësi mund t’i transferojë fondet përmes llogarive të ndryshme në mbarë globin, posaçërisht në juridiksione që nuk bashkëpunojnë në hetimet e pastrimit të parave.
Kurse faza e tretë është integrimi. Fondet ri-hyjnë në ekonominë e ligjshme pasi përpunimi me sukses të fitimeve të krimit në fazat e vendosjes dhe shtresimit. Fondet shpenzohen përmes investimeve në pasuri të patundshme, asete luksoze ose ndërmarrje biznesi, për të përmendur disa.
Sipas FATF, teknikat e bartjes së parave të gatshme mund të ndahen gjerësisht në këto kategori: deklarimi në një formë të caktuar i parave të gatshme të përfituara në mënyrë të paligjshme; asnjë përpjekje për t’i fshehur paratë kriminale; fshehja në trupin e personit (brenda trupit, e njohur si ‘body packing’ ose brenda rrobave); fshehja në bagazhin e pasagjerit; dhe fshehja brenda automjeteve dhe mallrave të modifikuara për transport. /GAZETA ENIGMA.