Deklarimet e Simmons shpresë për ish komandantët e UÇK-së, por të pa baza për spektrin ndërkombëtar

Deklarimet e Simmons shpresë për ish komandantët e UÇK-së, por të pa baza për spektrin ndërkombëtar

Zhurmë e polemika kanë shkaktuar në Kosovë, deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, dhënë të hënën, para Komisionit parlamentar për Legjislacion, shkruan Gazeta “Enigma”.

Dëshmia e Simmons, ngreh dyshime se EULEX-i ka transferuar të dhëna në Serbi, që kishin të bënin me mizoritë e pretenduara të kryera nga serbët gjatë luftës. Sipas tij, EULEX-i e dinte që Serbia nuk kishte vullnet për të hetuar dhe gjykuar këto raste.

Gjatë raportimit para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Simmons ka thënë se misioni i EULEX-it nuk ishte Mision “i sundimit të ligjit, por Mision politik”.

Sipas tij, EULEX kishte për qëllim të hiqte nga skena politike, ata që ai i ka cilësuar “peshq të mëdhenj”, ose ata persona, që janë parë nga ky Mision, si pengesë për dialogun Kosovë-Serbi.

Po ashtu gjyqtariSimmos ka thënë gjatë deklaratës së tij se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishin rastet e njohura si Kleçka dhe Drenica 1 dhe 2 – ku kanë qenë të përfshirë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – janë parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Reagimet e EULEX-it dhe të ndërkombëtarëve pas akuzave të Simmons

Por krejt këto pretendime të Simmons, u mohuan nga Misioni evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ky mision i ka konsideruar hamendësime të pamenduara dhe të pabazuara deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons.

“Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vetë BE-së”, është thënë në reagim.

Misioni i EULEX-it ka mohuar edhe pretendimet e Simmos, i cili ka thënë gjatë deklaratës së tij se dënimet në rastet për krime lufte, siç ishin rastet e njohura si Kleçka dhe Drenica 1 dhe 2 – ku kanë qenë të përfshirë figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – janë parë nga Brukseli si kruciale për përparimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“EULEX-i kurrë nuk u ka dorëzuar ndonjë rast të krimeve të luftës autoriteteve të prokurorisë serbe, as nuk ka hequr dorë nga autoriteti mbi dosjet dhe rastet hetimore. Ne i kërkojmë Simmons që t’i identifikojë të gjitha rastet që ai pretendon se Misioni ua dorëzoi autoriteteve serbe”, thuhet në reagimin e EULEX.

Përpos EULEX, të martën ka reaguar edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili u shpreh i shqetësuar pse Kuvendi i Kosovës i ka dhënë hapësirë ish-gjykatësit të EULEX-it, Malcolm Simmons për siç thotë ai kampanjën dezinformuese të Simmons.

Rohde ka mbështetur reagimin e EULEX-it duke e quajtur si përgënjeshtrim bindës për pretendimet e pabazuara të Simmons.

“Përgënjeshtrim shumë bindës dhe gjithëpërfshirës i EULEX-it për pretendimet e pabazuara. Unë thjesht habitem pse Kuvendi i Kosovës ende i ofron ish-gjykatësit Simmons një platformë për ta vazhduar këtë fushatë të dezinformimit”, ka shkruar Rohde në “Twitter”.

Ish komandantët e UÇK-së, e përkrahin raportimin e Simmons, kërkojnë drejtësi për UÇK-në

Nga Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK i kanë mirëpritur deklarimet e gjyqtarit Simmons. Faton Klinaku për Gazetën “Enigma”, ka thënë se kjo organizatë kishte bërë thirrje që misioni i EULEX të mos njihet qysh nga maji i vitit 2011.

“Pas analizës së arrestimeve të bashkëluftëtarëve nga ana e misionit të EULEX-it, keqtrajtimit të tyre dhe shkeljen e të gjitha procedurave paraprake ligjore, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe shumë skandaleve të tjera që i tha edhe ish-kryegjykatësi i EULEX-it Malcolm Simmons, Këshilli Drejtues i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që më 7 maj 2011 kishte bërë thirrje që të mos njihet autoriteti i këtij misioni në Kosovë”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe sot e kësaj dite ballafaqohemi me “pseudodrejtësinë ndërkombëtare”, shkruan tutje Gazeta “Enigma”.

Ndërkaq, ish komandanti i UÇK-së në Zonën e Nerodimes, Shukri Buja, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka thënë se pretendimet e Simmons, dëshmojnë për tendencat politike të bashkësisë ndërkombëtare.

“Më mirë vonë se kurrë, thotë një fjalë e urtë popullore. Këto reagime edhe pse me vonesë, po dëshmojnë se çfarë tendenca ka pasur politika e ndërkombëtarëve dhe sa ndërhyrje kanë bërë ata, edhe pse gjithmonë neve në politikë na kanë sugjeruar, dhe madje edhe sanksionuar për ndërhyrje në gjyqësor. Dëshmia e ish-gjyqtarit Simmons tregon edhe për tendencat dhe pa besueshmërinë e Gjykatë Speciale, të cilën unë gjithmonë e kam cilësuar si politike dhe të anshme”, ka thënë ai.

Sipas tij tërë këto dëshmi, e dëshmojnë luftën e pastër e pa pretendime të UÇK-së.

“Tërë kohën kemi theksuar se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë dhe pa pretendime, dhe pa njollosje. Ne kemi bërë luftë çlirimtare, kurse ata që kanë bërë krime dihen, e që është Serbia. Mirëpo shpeshherë këto deklaratat tona kanë ra në vesh të shurdhër dhe për shkak se politika ka ndërhy në drejtësi”, ka thënë tutje ai për Gazetën “Enigma”.

Ndërkaq, juristi Ehat Miftaraj, njëherësh drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, beson se raportimi i ish-gjyqtarit Simmons ka për qëllim vetëm informimin pasi sipas tij, bazuar në marrëveshjen e Kosovës me BE-në sa i takon EULEX-it, prokurorë e gjyqtarë të EULEX-it kanë pasur imunitet. Si rrjedhojë, sipas Miftarajt, institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë kompetencë për të zhvilluar çfarëdo hetimi penal apo administrativ në këtë rast./Gazeta Enigma.

Related Articles