Partitë shpenzojnë mijëra euro për tre muaj – KQZ-ja i publikon raportet

Partitë shpenzojnë mijëra euro për tre muaj – KQZ-ja i publikon raportet

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar të premten shpenzimet tremujore prill – qershor 2025 të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Enigma.

Në bazë të këtyre të dhënave, nga muaji prilli deri në qershor, partia e parë e dala nga zgjedhjet e jashtëzakonshme, LVV-ja ka shpenzuar gati gjysmë milioni euro.

Sipas këtyre të dhënave, LVV-ja ka shpenzuar 65 mijë e 86 euro për qira.

Ndër shpenzimet e tjera LVV ka shpenzuar 49 mijë e 220 euro për darka dhe dreka zyrtare dhe 32 mijë e 331 euro për marketing.

Sipas dokumentit të publikuar nga KQZ, vlera totale e shpenzimeve të kësaj partie është 498 mijë e 800 euro.

Partia e dytë për kah rezultatet zgjedhore, PDK-ja, ka shpenzuar 263 mijë e 753 euro në total, transmeton tutje Gazeta Enigma.

Pagat e punëtorëve i kanë kushtuar, PDK-së hiç më pak se 132 mijë e 647 euro.

Për shpenzime të marketingut dhe reklama PDK-ja ka shpenzuar nga 2 mijë euro.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës në të njëjtën periudhë ka shpenzuar 230 mijë e 211.63 euro në total.

Për shpenzime për udhëtime jashtë vendit, LDK-ja ka shpenzuar 6 mijë e 150 euro.

Kurse AAK-ja i ka pasur shpenzimet më të ulëta, sikurse e ka edhe numrin e deputetëve krahasuar me partitë e para.

Sipas KQZ-së, AAK-ja nga muaji prill deri në qershor ka shpenzuar 54 mijë e 684 euro.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike, janë publikuar në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve raportet e shpenzimeve për tremujorin prill – qershor 2025, të subjekteve politike që përfaqësohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Raportet mund t’i gjeni TU. /Gazeta Enigma.

Related Articles