Profesori amerikan, Daniel Serwer, ka thënë se tani është koha që Washingtoni t’i dërgojë sinjal të qartë Vuçiqit se NATO do t’i mbrojë të gjithë shtetet fqinje të Serbisë nga ndonjë qëllim jofqinjësor i Beogradit.
Këto komente ai i bëri pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se politikë e shtetit të tij është ajo se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.
Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin tha në një tubim të partisë së tij se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.
Pas kësaj deklarate të Vulinit që u kritikua nga shtetet e Ballkanit, Vuçiqi tha se politikë e shtetit të tij është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.
Këtë deklaratë të Vuçiqit, e ka komentuar profesori amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, duke thënë se është koha që NATO t’i tregojë qartë Vuçiqit që do t’i mbrojë të gjithë fqinjët e Serbisë nga synimet jofqinjësore të Beogradit.
“Vuçiqi është gati për të hequr dorë nga rimarrja e tërë Kosovës dhe tërë Bosnjës. E tëra që dëshiron janë rriskat serbe, rreth 15 për qind, përkatësisht 49 për qind. Ai do të ishte i lumtur për një rriskë Kroacie, gjithashtu. Slloveni Lindore? Ai e dëshiron tërë Malin e Zi. Është koha që Brukseli t’i tregojë atij se BE-ja nuk do të pretendojë më se anëtarësimi është mundësi për një shtet që ushqen ambicie territoriale dhe mosrespekt për kufijtë e fqinjëve të vet. Dhe është koha që Uashingtoni të sinjalizojë qartazi se NATO-ja do t’i mbrojë të gjithë fqinjët e Serbisë nga synimet jofqinjësore të Beogradit. Është koha që BE-ja dhe NATO-ja të bëhen reale me Serbinë”, ka thënë Serwer.