Dy vite nga sulmi terrorist në Banjskë – BE-ja pa presion strikt kundrejt Serbisë

Dy vite nga sulmi terrorist në Banjskë – BE-ja pa presion strikt kundrejt Serbisë

Po bëhen gati dy vite nga sulmi i armatosur i terroristëve serb ndaj Republikës së Kosovës, që ndodhi në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, në 24 shtatorin e vitit 2023.

Teksa gjykimi kundër tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe vepra të rënda penale po vazhdon në Kosovë, vlerësohet se Bashkimi Evropian nuk ka ushtruar presion tek autoritetet serbe për zbardhjen e rastit, shkruan Gazeta Enigma

Nga ky sulm ka mbetur i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Incidenti ka ndodhur gjatë një periudhë me tensione të shtuara pas vendosjes me forcë të katër kryetarëve në komunat me shumicë serbe në maj të vitit 2023 pas bojkotimit të zgjdhjeve nga serbët e Kosovës dhe dështimit të bisedimeve për marrëveshjen e përkrahur nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë.

Çka bëri bashkësia ndërkombëtare në relacion me agresionin shtetëror të organizuar nga shteti i Serbisë?

Profesori universitar Mazllum Baraliu, theksoi se BE-ja nuk ka ndërmarr asnjë hap ndaj Kosovës, përkundrazi është e sanksionuar tash e një kohë.

“Këta fillimisht thoshin se duhet pritur hetimet e policisë dhe më vonë edhe ngritjen e aktakuzës. U bënë hetimet, u bë raporti u ngrit aktakuza, filloi gjykimi dhe ndërkombëtarët nuk kanë bërë asgjë. Nërkombëtarët nuk po bëjnë asgjë. Është një gjendje me sanksionë, një gjendje ku shteti i Kosovës, nuk trajtohet si shtet as në dialog e as në marrëdhënie ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare përkundër faktit që i ka gjitha provat, raporte, incizime të gjithë e dimë se Kosova është sulmuar dhe ata nuk e kanë lëvizur asnjë fije floku. As nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre absurde”, përfundoi Mazllumi për Enigmën.

Tutje, Baraliu potencoi se Bashkimi Evropian ka injoruar faktin se Serbia është destabilizuese në Ballkan dhe agresore.

“Nuk kanë dashur të kuptojnë se Serbia është agresore, problematike e destabilizuese në Ballkan, edhe në relacion me Kosovë nuk dëshiron dialog, haptazi deklaronjnë se nuk e njohin Kosovën si shtet dhe nuk do ta njohin asnjëherë. Brnabiç në Bruksel ia shpërfaqi BE-së se nuk i njeh as marrëveshjet as asgjë tjetër që lidhet me Kosovën. BE këta njerëz i favorizon teksa atje investon miliarda ndërkohë që Kosovën e ka sanksionuar, kjo është kulmi i hipokrizisë së politikës së BE-së dhe Evropës në raport me Kosovën këto vitet e fundit”, përfundoi ai për Enigmën.

Kurse analisti i çështjeve politike, Avni Arifi, thotë se ka ndryshuar raporti mes bashkësisë ndërkombëtare dhe Kosovës pas sulmit në Banjskë.

“Natyrisht që ka ndryshuar raporti, posaqërisht tek vendet aleate gjë që u manifestu edhe me ndërhyrjen e mëpastajme të Qeverisë amerikane ndaj grumbullimit të forcave serbe në kufi si dhe kërkesë së tyre për drejtësi për kriminelët serb. Megjithatë, Banjska nuk e ka larguar insistimin ndërkombëtarë për implementimin e marrëveshjës dhe normalizimin raportesh”, tha Arifi për Enigmën.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, potencoi se pas rastit në Banjskë Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizmin dhe ka ritur kontrollin në veri.

“Kur po afrohet dyvjetori i sulmit terrorist në Banjskë, mbetet e qartë se Kosova ka nxjerrë mësime të rëndësishme në fushën e sigurisë. Policia e Kosovës ka dëshmuar profesionalizëm dhe aftësi të larta operacionale, duke forcuar praninë dhe kontrollin në veri. Po ashtu, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka rritur ndjeshëm kapacitetet e saj të zbulimit dhe parandalimit, duke garantuar që informacioni i sigurisë të jetë i saktë dhe në kohë. Në aspektin e kontrollit të zonave të ndjeshme, institucionet tona kanë arritur rezultate pozitive – prania e shtuar policore dhe operacionet e përbashkëta kanë kufizuar hapësirat për veprime ilegale”, përfundoi Shala për Enigmën.

Ndër të tjera, Shala theksoi se mungon përputhshmëria diplomatike e KFOR-it me realitetin në terren.

“Në përfundim mund të themi që siguria në Kosovë është përmirësuar dukshëm pas Banjskës, falë institucioneve tona. Ajo që mungon, dhe që duhet të forcohet, është përputhshmëria diplomatike e KFOR-it me realitetin në terren – në mënyrë që përpjekjet e Kosovës të mbështeten nga një kornizë e qartë ndërkombëtare të cilën Serbia nuk mund ta anashkalojë”, përfundoi Shala për Enigmën. /GazetaEnigma/

Related Articles