Nga ëndrra në realitet – Kandidatët për kryetar zbulojnë për “Enigmën” planet për stadiumin e Gjilanit

Nga ëndrra në realitet – Kandidatët për kryetar zbulojnë për “Enigmën” planet për stadiumin e Gjilanit

Dy skuadrat e futbollit SC Gjilani dhe FC Drita ende e presin ditën kur do të kthehen në Stadiumin e Qytetit, bashkë me tifozët e tyre nga qyteti i Gjilanit, shkruan Gazeta “Enigma”. Me zgjedhjet lokale në prag, kandidatët për postin e kryetarit të Gjilanit, kanë dhënë detaje për Gazetën “Enigma” mbi planet e tyre për këtë projekt, në rast se vijnë në pushtet.

Dy klubet e lartpërmendura të këtij qyteti, shumë stinorë janë detyruar të luajnë në fushën me bari sintetik, vend që vështirë përmbush kërkesat e këtyre dy ekipeve, që garojnë në elitën e futbollit kosovar – Superligë.

Pa vend adekuat për tifozëritë, e një fushë me standarde minimale për të zhvilluar një lojë futbolli profesionale, dy klubet së bashku me qytetarët e kësaj komune, presin me padurim përfundimin e projektit të Stadiumit të Qytetit.

Pas zvarritjes disa vjeçare me ankesa nga operatorët në OShP, më 20 maj, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka nënshkruar kontratën për renovimin e stadiumit të qytetit, ku vlera e investimit është 12,783,110 milionë euro.

LEXO EDHE: Gjilani s’bëhet “rehat” me stadiumin që përfundoi në OShPOSHP jep dritën e gjelbër për renovimin e Stadiumit të Qytetit

Më 23 maj, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, vendosën gurthemelin, prej kur edhe po vazhdojnë punimet. 

Stadiumi do të ketë kapacitet prej 8,750 ulësesh dhe pritet të përfundojë në fund të muajit maj të vitit 2027.

Ky investim është pjesë e planit pesëvjeçar të Qeverisë Kurti, për zhvillimin e infrastrukturës në të gjithë Kosovën.

I gjendur para zgjedhjeve komunale, kryetari aktual, Alban Hyseni, ka raportuar vazhdimisht për zhvillimin e punimeve në Stadiumin e Qytetit.

Ai ka publikuar pamje nga punimet që po kryhen aty, dhe ka bërë me dije se ato janë duke u zhvilluar me intensitet të lartë.

Zgjedhjet komunale në prag, çka do bëjnë me stadiumin kandidatët për kryetar?

Teksa afrohen zgjedhjet komunale të 12 tetorit, Gjilani gjendet përsëri në zhurmën e premtimeve elektorale. E një ndryshim eventual në kryesinë e Komunës, mund të ndryshoj edhe rrjedhën e punës për këtë stadium.

Rivali i Alban Hysenit për karrigen e të parit të Komunës, nga radhët e LDK-së, Arbër Ismajli, deklaroi për Gazetën “Enigma” planet e tij rreth Stadiumi të Qytetit, me ardhjen eventuale të tij në pushtet.

“Planet e mia për stadiumin janë që duhet me urgjencë të skanohet gjendja se çfarë është momentalisht, duke ditur neglizhencën e Komunës me këtë projekt tash e 4 vite, jeni dëshmitarë të situatave që kanë ndodhë me këtë projekt qysh nga ndryshimi i projektit, kosto financiare e deri te procedurat jo të mira ku në fund si pasojë e këtyre keqpërdorimeve, detyrohet që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta merrë dhe ta shpallë si projekt”, theksoi ai.

“Zotohemi para qytetarevë që do të punojmë natë e ditë që stadiumi të kryhet, sepse është projekti më i rëndësishëm pas autoudhës për qytetarët e Gjilanit”, u shpreh Ismajli.

I pyetur për afatin optimal për përfundimin e stadionit nëse vjen ai në pushtet, Ismajli nuk dha afat por theksoi se do të “trajtohet me urgjencë”.

“Duhet me pa se si ka ecë procedura edhe deri ku ka mbërri, sepse nuk kemi çasje në kontratë. Natyrisht që do të bëjme të pamundurën që ky projekt të kryhet me urgjencë, sepse është i rëndësisë së veçantë”, përfundoi ai.

Kandidati tjetër, nga radhët e partisë Guxo, Ilir Poroshtica, tha për “Enigmën” se në rast se ai vjen në pushtet, punimet në Stadiumin e Qytetit do të vazhdojnë por me “dinamikë të shtuar”.

“Planet do të vazhdojnë, por me një përkushtim të shtuar në planin dinamik. Në veçanti, duhet të forcojmë kontrollin e cilësisë, duke mos rënë pre e presionit të fushatës dhe duke mos anashkaluar procedurat e parapara nga organet mbikëqyrëse”, theksoi ai.

“Me pak fjalë, punët duhet të realizohen me profesionalizëm dhe korrektësi, e jo siç është vepruar deri tani, me një cilësi dhe dinamikë të tmerrshme – gjë që edhe pamjet nga terreni e dëshmojnë qartë”, tha Poreshtica, i cili me profesion është arkitekt.

Ai tha se nuk mund të jep një datë konkrete për përfundimin e këtij projekti, në rast se ai vjen në krye të Komunës, por tha se një projekt i tillë duhët të përfundojë brenda 2 viteve nga fillimi i mandatit.

“Një datë konkrete nuk mund të jap, sepse unë nuk e përcaktoj afatin, por do ta respektoj planin dinamik nëse ka. Sipas përvojës sime nga punët e përditshme ndërtimore që bëj, një projekt i tillë duhet të përfundojë brenda 2 viteve të para të mandatit tim, pa harruar edhe ndërhyrjet/rishikimet e gabimeve gjatë procesit të ndërtimit, të cilat mund të marrin kohë të konsiderueshme”, përfundoi Poroshtica.

Edhe kandidati për kryetar komune të Gjilanit nga radhët e AAK-së, Nazim Gagica, u shpreh se se ai zgjidhjet kryetar i Gjilanit, “çështja e Stadiumit do të trajtohet me seriozitet dhe transparencë të plotë”.

“Stadiumi i Qytetit është një prej projekteve më të rëndësishme për sportin dhe për komunitetin tonë. Me ardhjen tonë në krye të Komunës, ne do ta trajtojmë këtë çështje me seriozitet dhe transparencë të plotë”.

Ai madje premtoi se në rast të mos përmbushjes së kritereve evropiane të stadionit aktual, ai premtoi ndërtimin e një stadiumi të ri që i plotëson ato.

“Së pari, do të analizojmë në detaje projektin ekzistues, i cili deri tani ka qenë i mbyllur për publikun, për të parë nëse plotëson kriteret e UEFA-s dhe sidomos të FIFA-s si stadium i kategorisë së katërt. Nëse konstatojmë që projekti aktual nuk i përmbush këto standarde ndërkombëtare, atëherë ky stadium do të shërbejë për ndeshjet lokale dhe për aktivitetet e komunitetit, ndërsa për ndeshjet ndërkombëtare ne do të planifikojmë një stadium të ri, të certifikuar dhe të denjë për të gjithë sportdashësit e Gjilanit dhe rajonit. Qëllimi ynë është i qartë: Gjilani të ketë një infrastrukturë moderne sportive, që i shërben qytetarëve, sportistëve dhe krenarisë sonë kolektive”, përfundoi ai.

Gazeta “Enigma” ka kontaktuar dhe e ka pyetur rreth kësaj çështje edhe kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune, Riad Rashiti mirëpo ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje, deri në kohën e publikimit të këtij artikulli.

Projekti për stadiumin në dyert e OSHP-së – Çka ka ndodhur deri më sot?

Që nga viti 2017, deri më 2 prill 2025, objekti i Stadiumit të Qyteti ka qenë arenë e vonesave, ankesave të operatorëve dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

Procesi i prokurimit për stadiumin ka qenë një fushëbetejë e vazhdueshme.

Më 15 maj të vitit 2020 ishte nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për ndërtimin e stadiumit të qytetit.

Një tender kryesor prej 15 milionë eurosh, fillimisht i menaxhuar nga Komuna e Gjilanit dhe më pas nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), u bë qendër e polemikave.

Tenderi u rrëzua nga OShP më 18 qershor 2024, pas ankesës së “Euro Construction”.

Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit pati rekomanduar që të anulohet plotësisht tenderi për renovimin e stadiumit të Gjilanit.

Kjo për shkak se në ekspertizën e OSHP-së është theksuar fakti që tenderi iu dha një grupi të operatorëve që ofertuan me çmimin më të shtrenjtë.

Komuna e Gjilanit në krye me Alban Hysenin, më 31 maj i pati dhënë tenderin për renovimin e stadiumit të Gjilanit grupit të operatorëve ekonomikë “Demiri Gartenbau”, “Avag Group SH.P.K”, “El-Bau Sh.P.K”, “Bujar Shabani B.I” “Kosova Asfalt” dhe “Teuta-M”, për renovimin e stadiumit.

Vendimi, i cili e cilësoi ankesën pjesërisht të bazuar, urdhëroi anulimin dhe ritenderimin, duke i dhënë komunës 10 ditë afat për raportim. 

Më 2 prill 2025, tenderi i fundit (nr. 207-24-8996-5-1-1 dhe 207-24-079-5-1-1) u pezullua pas dy ankesave të reja. Synimi për të përmbushur Kategorinë IV të UEFA-s – me rregullime hapësinore, arkitekturore dhe inxhinierike – mbetet në pritje, nën shqyrtimin e OShP-së sipas Nenit 108/A të Ligjit për Prokurimin Publik. 

Në dy ankesat e fundit që u bënë, kompanitë Raf II Sh.P.K, dhe CONEX L.L.C, ankohen se janë eliminuar nga tenderi padrejtësisht.

Më 13 maj, “lufta” në këtë fushëbetejë të operatorëve ekonomik përfundoi me vendimin e OShP-së, kur u refuzua si e pabazuar ankesa e operatorit ekonomik “Raf II” SHPK, lidhur me aktivitetin e prokurimit për ndërtimin e këtij stadiumi.

Paneli shqyrtues vendosi që të mbetet në fuqi vendimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për dhënien e kontratës.

Ndërkohë, ankesa e operatorit tjetër “Conex” L.L.C. iu aprovuar pjesërisht, por pa ndikuar në rezultatin përfundimtar të prokurimit./Gazeta Enigma/

Related Articles