“Për pensionera nuk kanë ba asgjë askush, s’po mundemi me jetu me 120 euro. Unë jetoj vetëm me gruan, këto para të pensioneve nuk na dalin as për barna, e le më për diçka tjetër”, tha Sabit Jakupi, pensioner nga Komuna e Gjilanit.
Jakupi tha për Gazetën “Enigma” se pensionerët mbetën në harresë edhe në fushatën zgjedhore, premtime gjithmonë ka, por asgjë konkrete.
“Kemi prit me bë diçka më shumë, sidomos tani që edhe është kohë fushate, premtime ka, amo punë kurgja hiq”, deklaroi ai.
Pensionistët kosovarë janë në gjendje të rënduar. Me ato mjete që marrin, nuk mund t’i përballojnë as shpenzimet bazike, shkruan Gazeta “Enigma”.
Sikur të ishte vetëm ky problemi me të cilin po përballen ata. Ka shumë kohë që Shoqata e Pensionistëve ka kërkuar takim me krerët e shtetit, por sipas tyre kjo kërkesë kaloi “në vesh të shurdhët”.
Në kohën e fushatës zgjedhore vetëm kandidatët për asamble gjejnë kohë që të takohen me ta.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Sherif Kastrati, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se me këtë pension nuk mund ta sigurosh një shujtë gjatë ditës, që do të thotë se mbi 50–60% e pensionistëve janë nën nivelin e çdo kriteri për standard të jetës.
“Rreth 170 mijë pensionistë marrin vetëm 120 euro në muaj. Me këtë pension nuk mund ta sigurosh një shujtë gjatë ditës, le më të flasim për shërbime të tjera. Ata që i kanë 120 euro, dhe nuk është numër i vogël, janë diku 170 mijë njerëz që kanë 120 euro pensionin mujor, domethënë mbi 50–60% e pensionistëve janë nën nivelin e çdo kriteri për standard të jetës”, tha ai.
Asnjë mundësi për takim me krerët e shtetit, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Shoqata e Pensionistëve.
Kastrati tha se në kuadër të fushatës zgjedhore kanë zhvilluar disa takime me kandidatët për asamble komunale.
“Kemi takuar disa kandidatë për asamble, ndërsa kemi kërkuar takim, kemi dërguar e-mail kryetares, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, por nuk kemi marrë përgjigje që a na pranojnë apo nuk na pranojnë në bisedë”, tha Kastrati për “Enigmën”.
“Fondi pensional – tentativë e harruar”
Kastrati ka theksuar edhe njëherë se përpjekja e Ramush Haradinajt për fondin pensional mbeti tentativë e harruar. Tutje ai ka shtuar se gjendja e mjerueshme e pensionistëve, në të cilën gjenden tani, është si pasojë e mungesës së kujdesit ndaj tyre nga të gjitha qeveritë deri më tani, pa përjashtime.
“Është një dukuri e të gjitha qeverive të mëparshme edhe të kësaj, nuk ka ndonjë ndryshim të mirë për pensionistët, është duke shkuar me një avaz të njëjtë si më herët edhe tash, veç po keqësohet edhe më shumë”, deklaroi Kastrati.
“Një tentativë ka qenë gjatë kohës së kryeministrit Ramush Haradinaj, por pati afat të shkurtër jeta e qeverisë. Ai nisi me nxjerrë një ligj mbi fondin pensional, por nuk arriti, kështu që ka qenë edhe ajo një tentativë e harruar”, deklaroi ai.
Rritja e pensioneve, mungesa e dialogut dhe heshtja e partive politike ndaj pensionistëve
Ndërkohë Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se pa u formuar Qeveria nuk mund të përkrahen grupet e ndjeshme shoqërore, përfshirë pensionistët, pasi ekzekutivi aktual ka kompetenca të kufizuara.
“Jemi në muajin tetor, kur Qeveria e Kosovës, sipas Ligjit për metodologjinë e caktimit të lartësisë së pensionit bazë, ka obligim të marrë vendim për rritjen e pensioneve para datës 31 tetor, kur miratohet edhe ligji për ndarjet buxhetore, sepse rritja e pensioneve duhet të përfshihet në këtë ligj në mënyrë që të ekzekutohet”.
Tutje ai tha se “aktualisht një vendim i tillë nuk mund të merret, pasi Gjykata Supreme ka konstatuar se disa deputetë po ushtrojnë njëkohësisht edhe funksione ministrore, duke krijuar situatë jokushtetuese që e pengon qeverinë të ushtrojë mandat të plotë”.
“Në anën tjetër, një qeveri kujdestare, siç është kjo e tanishmja, nuk ka kompetencë të miratojë buxhet apo të rrisë pensionet. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të përfundojë sa më parë konstituimi i Kuvendit dhe formimi i qeverisë së re, e cila do të ketë mandat të plotë për të zbatuar ligjet dhe për të mbështetur grupet e ndjeshme shoqërore, përfshirë pensionistët.”
Shqetësuese – Partitë politike gjatë fushatës zgjedhore pa propozime konkrete për pensionistët
Sipas Jakajt, pensioni prej 120 eurosh nuk përmbush as nevojat elementare mujore, sidomos në këtë kohë kur kemi rritje të çmimeve dhe vështirësi ekonomike.
“Është shqetësuese që gjatë fushatës zgjedhore partitë politike nuk kanë paraqitur propozime konkrete për pensionistët, një kategori që përbën mbi 300 mijë qytetarë të Kosovës, nga të cilët më shumë se 150 mijë marrin pensionin bazik prej vetëm 120 eurosh. Kjo shumë nuk përmbush nevojat elementare mujore, sidomos në një kohë me rritje të çmimeve dhe vështirësi ekonomike”, deklaroi Jakaj për “Enigmën”.
“Partitë politike duhet ta kenë kujdesin për grupet sociale si pensionistët një ndër prioritetet kryesore të programeve të tyre, jo vetëm për arsye elektorale, por si detyrim moral dhe shoqëror për mbrojtjen e dinjitetit të kësaj kategorie”, tha ai.
“Është e papranueshme që Shoqata e Pensionistëve të Kosovës të kërkojë takime me krerët e shtetit për një periudhë të gjatë dhe të mos marrë asnjë përgjigje. Një qasje e tillë nuk përputhet me parimet e qeverisjes së mirë dhe transparencës institucionale. Qeveria ka obligim kushtetues dhe ligjor të zhvillojë dialog social me grupet e interesit, veçanërisht me një kategori kaq të madhe qytetarësh si pensionistët, që kanë dhënë kontributin e tyre në zhvillimin e vendit dhe meritojnë vëmendje të veçantë në politikat publike”, deklaroi Jakaj.
Kujtojmë se mungesë të përfshirjes së pensionistëve në planprograme të partive pati edhe në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Raporti i Bashkimit Evropian për zgjedhjet nacionale 2025 në Kosovë vuri në pah neglizhencën e plotë të partive politike ndaj grupeve sociale më të ndjeshme, si pensionistët, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me të ardhura të ulëta.
Sipas raportit, asnjë prej subjekteve kryesore politike nuk ka paraqitur masa konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtyre kategorive. Premtimet që u dhanë gjatë fushatës u vlerësuan si të përgjithshme, pa afate, buxhet apo plan zbatimi.
Në vitin 2002, ky pension ishte 28 euro. Në vitin 2019 arriti shumën prej 90 eurosh me vendime të ndryshme të Qeverisë. Ndërsa në fillim të vitit 2022, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilën Qeveria e Kosovës e miratoi në kohën e pandemisë COVID-19, pensioni u bë 100 euro.
Rritja e fundit e pensioneve u bë para zgjedhjeve në tetor të vitit 2024. Me këtë rritje pensioni bazik i moshës nga 100 u bë 120 euro./Gazeta Enigma/