KE: Kosova ka shënuar përparim të kufizuar, madje edhe ngecje

KE: Kosova ka shënuar përparim të kufizuar, madje edhe ngecje

Komisioni Evropian ka miratuar Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2025. Në këtë raport i cili është bërë publik të martën më 4 nëntor 2025, thekson se Kosova ka pasur progres të kufizuar e stagnim.

Ky dokument thekson se Kosova ka pasur përparim të kufizuar në fusha të tilla si pavarësia e gjyqësorit, liria e medias, dhe efikasiteti i administratës publike. Raporti thekson se bllokadat politike dhe polarizimi kanë penguar funksionimin normal të institucioneve demokratike.

“Pas zgjedhjeve parlamentare, dështimi i Kuvendit për t’u konstituuar ka cenuar seriozisht funksionimin e institucioneve kyçe demokratike”, theksohet në raport.

Përparimi për integrim evropian thuhet se u ndal për shkak të paaftësisë së Kuvendit dhe ngërçit politik pas zgjedhjeve të përgjithshme.

“Pavarësisht angazhimit të qeverisë dhe mbështetjes publike për rrugën evropiane të Kosovës, e shoqëruar me komunikim pozitiv mbi procesin e integrimit në BE, politika e brendshme ndarëse vazhdoi të pengojë zbatimin e agjendës së BE-së. Institucionet përgjegjëse për procesin e integrimit në BE mbeten në vend. Qendërzimi i agjendës së BE-së nganjëherë kufizon pronësinë politike në ministritë përkatëse dhe ngadalëson marrjen e vendimeve. Aktivitetet e integrimit në BE janë ndikuar negativisht nga kapaciteti i dobët administrativ dhe fakti që një numër i madh pozicionesh kyçe në administratën publike mbahen nga zyrtarë në detyrë”, theksohet në raportin e KE-së.

Sa i përket masave të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, raporti thekson se ka filluar procesi i heqjes graduale të tyre. Një nga hapat e parë në këtë drejtim ka qenë mbajtja e takimit në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në korrik, pas pezullimit të gjatë të takimeve të tilla.

Sipas raportit, çdo lehtësim i mëtejshëm i masave do të varet nga zhvillimet në veri të vendit. “Hapat e mëtejmë mbeten të kushtëzuar nga një ulje e qëndrueshme e tensioneve në veri. Komisioni synon t’i heqë më tej këto masa me kusht që të arrihet një transferim i rregullt i qeverisjes lokale në veri, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe nëse ulja e tensioneve është e qëndrueshme”, thuhet tutje në këtë dokument.

Pas nisjes së këtij procesi, katër projekte të asistencës teknike  që mbështesin investimet e mundshme në kuadër të Programit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor,  janë riparaqitur dhe miratuar, duke shënuar sinjalin e parë konkret të rikthimit të bashkëpunimit praktik mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

KE-ja shënon mungesë progresi në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe në fushën e lirisë së shprehjes. “Kosova ka një nivel të caktuar përgatitjeje, por nuk ka bërë progres në lirinë e shprehjes. Peizazhi mediatik është pluralist, por përballet me probleme që lidhen me transparencën e pronësisë dhe qëndrueshmërinë financiare të mediave”, ka theksuar Raporti i Progresit.

Ndërkaq, për dialogun me Serbinë, raporti evidenton se të dyja palët kanë shkelur marrëveshjet ekzistuese, duke theksuar veprimet e njëanshme të Kosovës në veri dhe mungesën e llogaridhënies së Serbisë për sulmin në Banjskë. Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe mbetet i bllokuar.

Komisioni Evropian, thekson se as Kosova dhe as Serbia nuk kanë ndërmarrë hapa vendimtarë drejt zbatimit të marrëveshjes së vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas Raportit të Progresit, pavarësia e sistemit gjyqësor është ende e brishtë dhe procesi i reformave po vonohet nga bllokadat politike.

Raporti thekson se ka infrastrukturë ligjore dhe institucionale, por përballet me sfida të mëdha: implementim të dobët, mungesë pavarësie, efikasitet të ulët, mungesë burimesh, ndikim politik dhe nevojë për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe aksesit të drejtësisë për komunitetet jo-shumicë.

Të plotë mund ta gjeni KËTU.

Related Articles