Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec

Një muaj paraburgim për personin që goditi për vdekje motoçiklistin në Rahovec

Dega në Rahovec e Gjykatës Themelore në Gjakovë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj personit që dyshohet të ketë shkaktuar vdekjen e një personi dy ditë më parë.

Ngjarja kishte ndodhur në Rahovec dy ditë më parë kur i dyshuari nga pakujdesia e kishte goditur në motoçiklist i cili ka vdekur si pasojë e lëndimeve.

“Gjykata Themelore në Gjakovë, Dega në Rahovec, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, me pasoje vdekjen”, thuhet në komunikatën e Gjykatës në fjalë.

“Sipas kërkesës, ‘më datë 02.11.2025, rreth orës 20:25 min, në Rahovec, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që, duke drejtuar automjetin e tij të markës ‘VË Golf’, dhe duke mos i kushtuar kujdes të duhur rrugës dhe duke mos iu përshtatur lëvizjes dhe rrethanave të rrugës, në mënyrë të pasigurt bën kthim majtas duke mos respektuar përparësinë e kalimit të motoçikletës, e cila ka qenë duke lëvizur në përball kalim, ku me pjesën e parë të motoçikletës përplaset në automjetin e markës ‘Golf’, në krahun e djathtë, ku pas përplasjes drejtuesi i motoçikletës bie në asfalt, ku si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i veturës si dhe drejtuesi i motoçikletës kërkojnë ndihmë mjekësore në QKF – Rahovec, e më pas drejtuesi i motoçikletës dërgohet në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë, por i njëjti ka qenë pa shenja jete”.

Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, Mizahir Shabani, janë përmbushur kushtet ligjore që i pandehuri të paraburgoset pasi ekziston mundësia që ai të pengojë rrjedhën e procedurës ose t’u shmanget organeve të ndjekjes.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Mizahir Shabani, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke u fshehur apo shmangur organeve të ndjekjes dhe duke ndikuar në dëshmitarë”.

Related Articles