Janë bërë një muaj prej kur Qeveria Kurti II, ka shënuar 100 ditëshin e pare të qeverisjes, porse për të raportuar për punën e bërë në këtë kohë, ekzekutivi ende nuk i është drejtuar Parlamentit të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Debat parlamentar për të bërat, e të pa bërat e qeverisë, tashmë disa herë radhazi kanë kërkuar partitë opozitare.
Madje, partia e dytë më e madhe në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka bërë kërkesë që javën e ardhshme, më dy gusht, të mbahet seancë për 100-ditëshin e punës së Qeverisë.
Deputeti, Elmi Reçica, nga kjo parti në një prononcim për Gazetën “Enigma”, ka deklaruar se asnjëherë në të kaluarën nuk ka ndodhur që ekzekutivi të mos raportoj për punën e vet, gjë që sipas tij përbën shkelje.
“Është papërgjegjësi totale e kryeministrit Kurti, që i ka shkelur gjitha rregullat e mëparshme që kanë mbizotëruar gjerë më tani në parlamentin e Kosovës dhe nga qeveritë e Kosovës. Secila qeveri, raportin e ka dërguar në Kuvend dhe pastaj raporti është analizuar, konform asaj se sa janë realizuar objektivat. Duke pasur parasysh që Kurti s’e ka marrë atë veprim, ne si PDK kemi kërkuar debat parlamentar për punën 100 ditëshe të Qeverisë dhe aty do të shihet qartë se sa ju ka përmbajtur premtimeve”, ka deklaruar ai.
I pyetur për qeverisjen e Kurtit, Reçica ka thënë se asnjë vendim nuk ka qenë për lavdatë. “Unë nuk kam parë ndonjë sukses, në asnjë çështje që ka qenë me rëndësi për vendin, por dështimet janë të shumta”, theksoi tutje ai.
Dialogu, reciprociteti, e premtimet e tjera të Kurtit, shihen si mashtrim nga opozita
Se Qeveria se ka bërë punën siç duhet në tre mujorin e parë të Qeverisjes, vlerëson edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Sipas tij premtimet e Kurtit për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim.
“Kurti ka premtuar se do ta rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia”, ka deklaruar ai,
Deputeti i AAK-së, potencoi se ekonomia e Serbisë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.
“Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë”, shtoi Haradinaj.
Tutje, kreu i AAK-së u shpreh se Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet.
Ai potencoi se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë mbi 28 punësime të familjarëve të ministrave e deputetëve në këtë periudhë qeverisëse.
Transparenca mininale në Qeverinë Kurti II
Jo transparent janë shfaqur në tre mujorin e parë ekzekutivi aktual, sipas Grupit për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) .
Në një raport të publikuar nga kjo organizatë, thuhet se sa i përket transparencës së përgjithshme qeveria Kurti II, ka shënuar një vlerësim me notën 6.5. “Ky vlerësim është bërë duke e matur transparencën në relacion me publikun, me vendimet e marra nga dikasteret e qeverisë, si dhe nga transparenca e zyrës së kryeministrit”, thuhet në raport.
Ndërsa, lidhur me performancën e përgjithshme, sipas GLPS, Qeveria Kurti II, ka shënuar një shkallë prej 5.5 nga 10 në total.
“Kjo notë vlerësimi është matur bazuar në indikatorët siç janë: premtimet e fushatës elektorale dhe programin qeverisës, si dhe implementimi i tyre në këtë 100 ditësh. Duke marre parasysh narracionin transformativ te qeverisë Kurti II, pritshmëritë nga ana e qytetarëve dhe ne anën tjetër realizimin e politikave që nga shëndetësia e deri tek politika e jashtme, GLPS ka konkluduar se performanca gjenerale është thënë së ‘buti e vakët’, është thënë në raport.
Një aspekt pozitiv në 100 ditëshin e parë, sipas GLPS-së, është vlerësuar integriteti i qeverisë. “Fusha e dytë është e integritetit te qeverisë për të cilin vlerësimi është 8. Integriteti matet nga profesionalizimi i kabinetit qeveritar dhe komponenti i përfshirjes se personave të emëruar në afera korruptive, shtuar këtu mungesën e precedentëve penal dhe rasteve aktive në gjykata”, thuhet tutje aty.
Analisti Arbër Fetahu nga kjo organizatë ka thënë se 100 ditëshi i Qeverisë Kurti është dominuar nga politika e jashtme, konkretisht dialogu me Serbinë. Ai e vlerëson si të mirë rolin e Qeverisë në këtë proces.
“Në përgjithësi edhe ky 100 ditësh është dominuar nga disa ndikime të politikës së jashtme që kanë dominuar edhe politikën e brendshme, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Ndonëse në fillim u trajtua si një prioritet i 5-6, por gradualisht është intensifikuar edhe prezenca e qeverisë në drejtim të dialogut dhe pjesëmarrja në takime të ndryshme. Kjo është një hap pozitiv, pavarësisht deklarimeve në fillim sepse kemi pa një paraqitje më të mirë në dialog, në kuptimin e shkuarjes në takime, përgatitjes dhe tentimit për të përafruar spektrin politik”, ka shtuar ai.
Suksesi i proklamuar nga ekzekutivi
Kujtojmë se një vlerësim të punës së tij në 100 ditëshin e parë, kryeministri Albin Kurti e ka bërë gjatë hapjes së Samitit dyditor të Arsimit dhe Aftësimit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren dhe në mbledhjen e Qeverisë, një muaj më parë.
Me këtë rast Kurti ka thënë se arsimi dhe aftësimi profesional e mban çelësin e progresit teknologjik, industrializimit të shpejtë, shtimit të vendeve të punës, krijimit të pasurisë, uljes së varfërisë dhe zbutjes së pabarazisë.
Ai kishte deklaruar se gjatë pesëmujorit të fundit situata ekonomike në Kosovë është përmirësuar dukshëm. Sipas tij aktiviteti ekonomik është shtuar për 15%, eksportet janë rritur për 66%, e po ashtu janë rritur edhe për 30% të hyrat buxhetore. /Gazeta Enigma.