Maliqi: NISMA rrezikon pragun, AAK e kalon por me rrezik, VV në rënie, PDK e LDK me rritje

Maliqi: NISMA rrezikon pragun, AAK e kalon por me rrezik, VV në rënie, PDK e LDK me rritje

Ka mbetur më pak se një muaj deri në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Tani më është mbyllur afati për koalicione, ku për këto zgjedhje përpos Lëvizjes Vetëvendosje partitë tjera do të garojnë të vetme në këto zgjedhje, shkruan Gazeta “Enigma”.

Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet e 28 dhjetorit ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), ndërsa PDK, LDK, AAK dhe NISMA do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.

“NISMA rrezikon pragun, AAK e kalon por me rrezik, VV në rënie, PDK e LDK me rritje”

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, në një deklaratë për Gazetën “Enigma” tha se NISMA Socialdemokrate është pothuajse e pamundur të kalojë pragun zgjedhor. Ndërsa AAK-ja sipas tij qëndron më mirë, megjithëse jo pa rrezik.

“Nuk kalon, shumë vështirë me kalu vetë NISMA sepse i ka vetëm 2–3%. AAK-ja ka gjasë me kalu sepse ka shtrirje, eventualisht ka gjasa me kalu pragun, rrezikohet nga pak edhe pse zgjedhjet lokale dhe qendrore dallojnë”, u shpreh Maliqi.

Sipas Maliqit Lëvizja Vetëvendosje pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të votave të vitit 2021. Duke iu referuar sondazheve aktuale ai tha se partitë opozitare do të kenë ngritje në këto zgjedhje.

“VV ka me rënë edhe pak sepse nuk janë ato votat e 2021 që ia ka sjellë Vjosa dhe Guxo; i ka humbur 5–6 përqind në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti. Edhe vetë brenda VV-së ka të pakënaqur… s’ka mbetur askush nga të parët e VV-së. Janë rreth 38% sipas një ankete që kam parë, i humbin edhe 7 deputetë, mund të dalin të parët”, deklaroi Maliqi për Gazetën “Enigma”.

Tutje ai ka theksuar se “sipas anketës rritje ka edhe PDK edhe LDK”.

Related Articles