Çmimet po rriten “sa hapë e mbyllë sytë” – Kush i ka fajet, flasin ekonomistët

Çmimet po rriten “sa hapë e mbyllë sytë” – Kush i ka fajet, flasin ekonomistët

Rritja e çmimit të produkteve bazë e edhe produkteve tët jera, sa vjen e rritet. Që nga fillimi i pandemisë e më pas fillimi i luftës mes Rusisë e Ukrainës, qytetarët e Kosovës filluan të bëhen ‘imunë’ ndaj rritjes së çmimeve, si në produktet bazë, produktet e naftës, produktet luks e çka jo tjetër, shkruan Gazeta Enigma.

Ajo çka ktheu sytë e qytetarëve e opinionit kohëve të fundit rreth rritjes së çmimit të produkteve, ishte çmimi i një kompletime vezë (30 copa).

Në shumicën e marketeve, në javët e fundit, një komplet vezë po kushton nga 6 deri në 7 euro.

Fajtor – Qeveria pa fuqi e importi i madh

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gerxhaliu, thotë për Gazetën Enigma, se fajtor për gjithë këtë rritjeve të produkteve esenciale, është fokusi në politikë e jo në ekonomi.

“Kosova, në vitin 2025 është ballafaquar me një situatë mjaft sfiduese, nga fakti që ka dominuar agjenda politike dhe lufta për pushtet. Kemi pasur katër palë zgjedhje. Aty ku dominon agjenda politike, anashkalohet ekonomia dhe zhvillimi ekonomik. Dhe ky moszhvillim ekonomik e godet qytetarin e Kosovës në aspektin social”, deklaron Gerxhaliu.

Gerxhaliu parashikon se viti 2025 do të jetë një vit rekord i importeve, “ku do të kalohen rreth 7 miliardë euro import”.

“Në këtë drejtim, Kosova është kapluar nga një inflacion dhe çmimet janë vërtetë duke u rritur në ritëm të shpejtë. Kjo po e rëndon aspektin social në Kosovë. Kur krejt kësaj i shtohet fakti se jemi në kampanjë zgjedhore dhe afër festave të fundvitit, kur tregtia spekolative lulëzon, duke i ngritur çmimet, e gjithë kjo do jetë mjaft sfiduese”.

Për t’u përballur sadopak me këtë inflacion, Gerxhaliu propozon që pagat e sektorit publik dhe atij privat të rriten, ndërsa zgjedhjet të sjellin një Qeveri stabile.

“Në anën tjetër, pagat, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, pothuajse janë të pandryshuara. Andaj, është koha kur duhet të kemi një qasje më racionale ndaj çmimeve, duke e matur inflacionin, duke ngritur pagat dhe duke gjetur mekanizma që vërtetë të luftohet ky inflacion, i cili sa është i gjeneruar brenda, është edhe i importuar. Por, po e them sërish se agjenda politike po e absorbon mendimin ekonomik në Kosovë dhe këtë absorbim po e paguan qytetari i Kosovës, me çmimet e produkteve esenciale më të lartat në Evropë”, deklaroi në fund Gerxhaliu për “Enigmën”.

Rritja e produkteve – shkak edhe i ardhjes së mërgatës?

Njohësi tjetër i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, në një prononcim për Gazetën Enigma thotë se rritja e çmimeve ka vazhduar nga fakti se tregu po lihet të sillet pa kontroll dhe pa asnjë mekanizëm mbrojtës nga institucionet.

Kjo, rritje, sipas tij, bëhet edhe për faktin se marketet rrisin çmimet, pak para ardhjes së mërgatës.

“Çdo sezon para ardhjes së mërgatës, kërkesa rritet dhe bizneset e shfrytëzojnë momentin për të ngritur çmimet, sidomos ushqimet dhe derivatet. Dhe pasi rriten, ato nuk kthehen më në nivelin e mëparshëm”, u shpreh Muhaxheri.

Edhe Muhaxheri, njëjtë si Gerxhaliu, e hedh fajin tek institucionet, të cilat sipas tij, “po qëndrojnë duarkryq”.

“Problemi nuk është vetëm te tregtarët, por te institucionet që po qëndrojnë duarkryq, pa kontroll të marzhave, pa inspektime serioze dhe pa politika që parandalojnë abuzimet sezonale. Qeveria ka mundësi të ndërhyjë, por deri tani nuk ka bërë as veprimet minimale që do të mbronin qytetarët nga një cikël i përvitshëm i shtrenjtimit të pajustifikuar”, deklaroi njohësi i ekonomisë.

Kush i mbikëqyr çmimet?

Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës.

Në nëntorin e vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e vlerësoi antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë.

Qeveria kishte deklaruar se ligji ishte hartuar për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie.

Kur pritet që Kosova të bëhet me Qeveri e institucione stabile?

Nëse një Qeveri fuqiplotë do të stabilizonte sadopak çmimet, kjo pritet të vendoset në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Pas zgjedhjeve, numërimi dhe rinumërimi, pritet të marrin disa javë kohë, ndërkohë që më pas vjen konstituimi i Kuvendit e emërimi i kabinetit qeveritar.

E gjithë kjo procedurë parashikohet të përfundojë në muajin shkurt të vitit 2026. /GAZETA ENIGMA

Related Articles