Në vikend, QKUK trajtoi 900 raste

Në vikend, QKUK trajtoi 900 raste

Të hënën Qendra Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se dy ditët e vikendit është përballur me një fluks të lartë pacientësh, raporton Gazeta Enigma.

Përmes një njoftimi, ShSKUK thotë se gjatë kësaj periudhe janë ofruar shërbime emergjente të natyrave të ndryshme, përfshirë 194 raste reanimimi, 302 trajtime internistike, 183 raste ortopedike, 137 raste kirurgjike si dhe 33 raste që kanë kërkuar intervenime të vogla. Ndërsa 61 prej tyre kanë qenë raste të aksidenteuara.

“Të gjitha këto shërbime janë realizuar nga ekipet e mjekëve specialistë dhe infermierëve të Qendrës Emergjente”, thuhet në njoftim.

Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve, sipas ShSKUK-së janë paraqitur drejtpërdrejt në Qendrën Emergjente, duke anashkaluar shërbimet shëndetësore parësore dhe dytësore.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që rastet jo emergjente të drejtohen fillimisht në qendrat e mjekësisë familjare apo në spitalet rajonale.

“Qendra Emergjente duhet të mbetet e rezervuar për rastet serioze dhe kërcënuese për jetën. Bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për të mundësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në kohën e duhur për pacientët që janë në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën”. / Gazeta Enigma.

Related Articles