Të pagjeturit në qendër të dialogut Kosovë–Serbi – Kërkohet hapja e arkivave ushtarake e policore

Të pagjeturit në qendër të dialogut Kosovë–Serbi – Kërkohet hapja e arkivave ushtarake e policore

Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të funksionalizojnë Komisionin për Personat e Pagjetur gjatë luftës në Kosovë. Këtë e ka konfirmuar kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Arritëm përfundimisht ta funksionalizojmë Komisionin e përbashkët për Personat e Pagjetur. Mbetet që në javët në vijim të takohen zëvendësit tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para të punës së Komisionit të përbashkët”, ka deklaruar Besnik Bislimi në fund të takimit.

Marrëveshja u arrit pasi Peter Sørensen zhvilloi takime të ndara dhe të gjata me të dy kryenegociatorët.

Takimi trepalësh zgjati shumë shkurt dhe shërbeu vetëm për formalizimin e marrëveshjes

Ish-ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, rifillimin e dialogut Kosovë–Serbi, e ka cilësuar atë si një fazë shumë të ndjeshme dhe të komplikuar.

Sipas tij, presioni nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për rezultate konkrete është i madh, por përparimi varet kryesisht nga vullneti politik i palëve.

“Dialogu Kosovë–Serbi ka hyrë në një fazë shumë të ndjeshme dhe të komplikuar. Ka presion të shtuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara që të ketë rezultate konkrete, por përparimi varet kryesisht nga vullneti politik i palëve”, thotë Pacolli.

Pacolli shprehet se nuk priten ndryshime të mëdha.

“Nuk pres ndryshime të mëdha afatshkurtra, por çdo takim që mban komunikimin të hapur është i rëndësishëm për të shmangur përshkallëzimin dhe për të ndërtuar gradualisht besimin”, u shpreh Pacolli.

Ish-ministri i Jashtëm tha se çështja e të pagjeturve duhet të jetë prioritet absolut në dialogun Kosovë–Serbi.

“Çështja e të pagjeturve duhet të jetë një prioritet absolut, sepse është para së gjithash një çështje humanitare dhe jo vetëm politike. Kjo temë duhet të trajtohet me seriozitet, afate konkrete dhe mekanizma ndërkombëtarë monitorimi”, tha Pacolli.

Ai ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat ushtarake dhe policore.

“Serbia duhet të hapë arkivat ushtarake dhe policore, të ofrojë informacion të plotë për varrezat masive dhe për zhvendosjen e trupave. Pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve, është shumë e vështirë të ketë pajtim të vërtetë dhe besim mes palëve”, ka deklaruar Pacolli.

Ish-ambasadori Gjergj Dedaj ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar dialogu Kosovë–Serbi gjatë pesë viteve të fundit, duke e cilësuar atë si një farsë politike që shërben për marketing politik për Prishtinën dhe Beogradin.

“Dialogu ndermjet Kosovës dhe Serbisë në këto pesë vitet e fundit të regjimit Kurti-Osmani ishte vetem farsë politike e cila i shërbente për marketing politik Prishtinës dhe Beogradit zyrtar”, tha Dedaj.

Ai ka shtuar se kjo qasje politike i konvenon të dy udhëheqësve, të cilët, sipas tij e kanë prioritet vetëmpushtetin.

“Kjo politike interte e të mos bërit asgjë në progresin politik dhe diplomatik mes Kosovës dhe Serbisë, i konvenon Kurtit dhe Vuçiqit. Ata para opinionit bëjnë sikur po zhvillojne dialog kurse ky është vetem një monolog i tyre propagandistik. Edhe njëri ashtu dhe tjetri  si popullist të dëshmuar, e kanë prioritet vetëmpushtetin dhe ruajtjen me çdo  kusht dhe metodë të pushtetit”, u shpreh ai.

Ai e ka konsideruar përdorimin e fatit të të zhdukurve për qëllime propagandistike si një “krim tjetër mbi fatin e tyre”.

“Kur bëhet fjalë për çështjen e personave të zhdukur, kjo temë tragjike e kalon edhe imagjinaten e normalitetit njerëzor dhe rëndon plagët e familjarëve të personave të zhdukur. Loja me fatin e personave të zhdukur për çështje propagandistike në fakt është krim tjetër mbi fatin e tyre”, deklaroi Dedaj.

Dedaj ka kritikuar gjithashtu qeverinë për mungesën e angazhimit ndaj kategorive më të ndjeshme sociale.

“Ky regjim është i dëshmuar se nuk ka bërë asgjë për fatin e të zhdukurve, për familjet e tyre, për veteranët dhe invalidët e UÇK dhe kategoritë e ngjashme. Kurti dhe Osmani këto kategori i kujtojnë gjatë fushatave elektorale dhe në sfilata para varrezave të dëshmorëve dhe maryirëve të lirisë, për nevoja personale dhe elektorale”, ka thënë ai për “Front Online”.

Njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi ka vlerësuar për “Front Online” se dialogu Kosovë–Serbi vazhdon të jetë i njëjtë dhe i paprodhueshëm.

Ai ka shtuar se pa një politikë të jashtme të qartë të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Serbia do të sillet njësoj.

“Po flasim për dialog të njëjtë, lojtar të njëjtë që nuk kanë prodhuar rezultat të mirë është e palogjikshme të presim diçka se derisa BE nuk e specifikon politikën e jashtme të BE ndaj Kosovës, Serbia do të sillet njëjtë nuk shoh përmbajtje e as seriozitet dhe as arritje të qartë të rezultateve”, thotë ai.

Arifi ka kritikuar edhe mungesën e përparimit për të pagjeturit.

“Për të pagjeturit po flasim mbi 25 vite pas luftës edhe mos me u zgjedh kjo tregon për një mos seriozitet të dialogut në tërësi. Tema e parë do duhej të ishte njohja reciproke”, ka thënë Arifi

Related Articles