KQZ: Do të vlejë rezultati i rinumërimit dhe jo i Qendrave Komunale të Numërimit

KQZ: Do të vlejë rezultati i rinumërimit dhe jo i Qendrave Komunale të Numërimit

Pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e plotë të votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka sqaruar se cili rezultat do të konsiderohet përfundimtar – ai i dalë nga numërimi në Qendrat Komunale të Numërimit apo ai që del nga procesi aktual i rinumërimit.

Elezi ka deklaruar se vendimi për rinumërimin e vendvotimeve apo qendrave të numërimit është në kompetencë të KQZ-së dhe, për rrjedhojë, rezultati që do të vlejë në shpalljen e rezultateve përfundimtare zgjedhore do të jetë ai që del nga procesi i rinumërimit.

Sipas tij, vendimi për rinumërimin e të gjitha vendvotimeve është marrë pas një verifikimi të kryer në 33 vendvotime, ku janë konstatuar mospërputhje mes votave të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit dhe atyre të evidentuara në fletëvotime.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep të drejtë KQZ-së të vendosë për rinumërimin e votave në cilindo vendvotim apo qendër numërimi. Në këtë drejtim, KQZ ka zbatuar ligjin, andaj është e qartë se në rezultatet përfundimtare do të përfshihen të dhënat që dalin nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi i kryer në Qendrat Komunale të Numërimit”, ka deklaruar Elezi.

Ndërkohë, procesi i rinumërimit të vendvotimeve po vazhdon edhe të premten në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Nga 13 janari, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u zhvilluar rinumërimi i vendvotimeve, në bazë të dy vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilat përfshijnë gjithsej rinumërimin e 2,557 vendvotimeve. Deri më tani, janë rinumëruar më shumë se 50 për qind e vendvotimeve ku më 28 dhjetor është zhvilluar procesi i rregullt zgjedhor”, ka shtuar ai.

Related Articles