Një datë, një përkatësi: Çfarë përfaqëson 17 Shkurti për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Një datë, një përkatësi: Çfarë përfaqëson 17 Shkurti për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Në Luginën e Preshevës, 17 Shkurti nuk përjetohet thjesht si përvjetor i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, por si një datë me peshë të thellë historike, emocionale dhe politike për shqiptarët e këtij rajoni, shkruan Gazeta “Enigma”.

Sipas Ragmi Mustafit, kjo ditë nuk pret miratim institucional për t’u festuar, sepse ajo jeton në shtëpitë, familjet dhe kujtesën historike të qytetarëve. Flamujt kuqezi dhe ai i Kosovës vendosen në hapësira private, ndërsa shumë banorë zgjedhin ta kalojnë këtë datë në Prishtina dhe në qytete të tjera të Kosovës, për ta përjetuar festën në një ambient shtetëror shqiptar.

Politikani dhe aktivisti nga Lugina e Preshevës, Ragmi Mustafi, në një intervistë për Gazetën “Enigma” rrëfen se Pavarësia e Kosovës është dëshmi se historia shqiptare nuk është histori dorëzimi. “Ajo simbolizon realizimin e një aspirate shekullore dhe provon se liria nuk është koncept abstrakt, por realitet i arritur përmes sakrifice. Për shqiptarët e Luginës kjo datë përfaqëson lidhjen tonë politike, historike dhe shpirtërore me Kosovën, një lidhje që nuk përcaktohet nga kufijtë administrativë, por nga përkatësia kombëtare”.

INTERVITA E PLOTË:

Gazeta “Enigma”: Si festohet 17 Shkurti në Luginën e Preshevës?

Ragmi Mustafi: Në Luginën e Preshevës 17 Shkurti nuk është thjesht datë kalendarike, po moment identitar. Nuk pret protokoll shtetëror për t’u shënuar, sepse festohet drejtpërdrejt nga shqiptarët e Luginës. Flamujt vendosen nëpër shtëpi, në biznese etj, ndërsa në mbrëmje dalin spontanisht për ta ndarë gëzimin mes vete. Fenomen që përsëritet çdo vit është edhe lëvizja e madhe e qytetarëve drejt Kosovës. Duke qenë se zakonisht përkon me ditë pushimi në Serbi, një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga Lugina e kalojnë 17 Shkurtin në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës për ta përjetuar festën në ambient shtetëror shqiptar. Nuk është thjesht vizitë, nevojë emocionale dhe politike për ta jetuar atë ditë në normalitet kombëtar.

Gazeta “Enigma”: A organizohen aktivitete zyrtare për nder të Pavarësisë së Kosovës?

Ragmi Mustafi: Aktivitetet zhvillohen kryesisht në shkolla dhe çerdhe përmes programeve kulturore, recitimeve dhe aktiviteteve edukative që u mësojnë brezave të rinj historinë e shtetit të Kosovës. Ndërsa në nivel komunal, përveç Komunës së Preshevës, institucionet tjera ende nuk kanë treguar pjekurinë politike dhe guximin institucional për ta shënuar këtë ditë publikisht. Kjo tregon më shumë për rrethanat politike në të cilat jetojmë sesa për vullnetin e qytetarëve, sepse shqiptarët e Luginës këtë ditë e kanë bërë festë shumë më herët se sa institucionet e Sërbisë mund ta ndalojnë.

Gazeta “Enigma”: Si e përjetojnë qytetarët shqiptarë të Luginës këtë datë?

Ragmi Mustafi: Kjo ditë përjetohet me krenari të thellë dhe emocion të veçantë. Për shqiptarët e Luginës, Pavarësia e Kosovës nuk është ngjarje e jashtme – është pjesë e historisë sonë personale dhe familjare. Është pjesë e pandashme e festave të Luginës. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh nga Lugina kanë marrë pjesë jo vetëm në radhët e UÇK-së, por në të gjitha fazat e krijimit të shtetit të Kosovës: në rezistencën politike, në luftën çlirimtare dhe më pas në proceset shtetformuese, institucionale dhe shoqërore pas pavarësisë. Prandaj kjo datë këtu nuk shihet si festë e shteti tjetër, por si rezultat i një sakrifice të përbashkët kombëtare.

Gazeta “Enigma”: A ka ndonjë pengesë institucionale për organizimin e këtyre festave?

Ragmi Mustafi: Nuk ekziston ndalim formal, por ekzistojnë kufizime institucionale dhe administrative që e pamundësojnë trajtimin e kësaj dite si festë publike zyrtare. Autocenzura nga represioni. Institucionet publike duhet të jenë të kujdesshme në (mos) organizim dhe në përdorimin e simboleve, gjë që e kufizon shënimin institucional. Megjithatë kjo nuk e pengon qytetarin ta festojë – përkundrazi, e ka bërë festën edhe më autentike, sepse është mbështetur te vetëdija kolektive dhe jo te protokolli.

Gazeta “Enigma”: Çfarë simbolike ka 17 Shkurti për shqiptarët e Luginës?

Ragmi Mustafi: 17 Shkurti është dëshmia se historia shqiptare nuk është histori dorëzimi. Simbolizon realizimin e një aspirate shekullore dhe provon se liria nuk është koncept abstrakt, por realitet i arritur përmes sakrifice. Për shqiptarët e Luginës kjo datë përfaqëson lidhjen tonë politike, historike dhe shpirtërore me Kosovën, një lidhje që nuk përcaktohet nga kufijtë administrativë, por nga përkatësia kombëtare.

Gazeta “Enigma”: A ka bashkëpunim me institucionet e Kosovës për këtë ditë?

Ragmi Mustafi: Po, përmes kontakteve institucionale, pjesëmarrjes në aktivitete dhe komunikimit të vazhdueshëm. Aq më tepër që Qeveria e Republikës së Kosovës po ndërton mekanizma e domosdoshëm për Luginën siç është linja buxhetore. Por mbi të gjitha bashkëpunimi shihet në nivel shoqëror, mijëra qytetarë që kalojnë kufirin atë ditë janë dëshmia më e qartë e një hapësire kombëtare të përbashkët.

Gazeta “Enigma”: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët e Luginës me rastin e 17 Shkurtit?

Ragmi Mustafi: 17 Shkurti na mëson se liria nuk vjen brenda natës, ajo ndërtohet me durim, dije dhe qëndrueshmëri politike. Ta festojmë me krenari, por edhe me përgjegjësi, ta forcojmë arsimin, unitetin dhe përfaqësimin politik, sepse vetëm kështu ruhet identiteti dhe arrihet barazia. Kosova është dëshmi se idealet realizohen kur populli nuk heq dorë prej tyre. Për ne në Luginë, kjo ditë nuk është vetëm kujtim i një shpalljeje, është orientim për të ardhmen.

Kujtojmë se Pavarësia e Kosovës është shpallur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Kosovës. Pas votimit të aktit të Shpalljes së Pavarësisë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë mbi një pergamenë mijëravjeçare. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles