Reforma në sistemin prokurorial në ngërç: Shkarkimi i Kelmendit thellon përçarjet në KPK

Reforma në sistemin prokurorial në ngërç: Shkarkimi i Kelmendit thellon përçarjet në KPK

Tre muaj pas shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në mungesë kuorimi, tensionet brenda Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) jo vetëm që nuk janë zbutur, por janë thelluar, duke kulmuar me një debat të ashpër më 26 janar rreth qëndrimeve të Bashkimi Evropian ndaj reformave në sistemin prokurorial, shkruan Gazeta “Enigma”.

Reagimi i BE-së

Më 20 nëntor 2025, KPK votoi për shkarkimin e Kelmendit dhe emëroi si ushtrues detyre prokurorin Agron Qalaj. Vendimi u kundërshtua nga disa anëtarë, të cilët pretenduan se është marrë pa kuorum dhe për rrjedhojë i pavlefshëm.

Pas këtij zhvillimi, Zyra e BE-së në Kosovë reagoi duke vlerësuar se shkarkimi pengon reformimin e domosdoshëm të KPK-së, shpërfill parimet e sundimit të ligjit dhe minon përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian.

Kryeprokurori Isufaj e prokurori Lumezi me qasje shpërfillëse dhe gjuhë të ashpër ndaj BE-së

Diskutimet për qëndrimin e BE-së u rikthyen fuqishëm në mbledhjen e 26 janarit, ku, sipas një audio-incizimi të publikuar nga Betimi për Drejtësi, pati përplasje të drejtpërdrejta mes prokurorëve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e cilësoi Zyrën e BE-së si të njëanshme dhe të ndikuar nga “grupe interesi”, duke kundërshtuar vlerësimet për shkelje ligjore në proceset e KPK-së.

Në anën tjetër, prokurori Shqipdon Fazliu argumentoi se kritikat ndaj sistemit prokurorial nuk vijnë vetëm nga BE-ja, por edhe nga Komisioni i Venecias dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke hedhur poshtë pretendimet për një qasje të izoluar.

Debati mes tyre kaloi në tone personale, ndërsa në diskutim u përfshi edhe ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ngriti shqetësime për, siç tha, ndërhyrje të jashtme dhe përçarje të brendshme në sistem.

Gazeta Enigma ka kontaktuar edhe me BE-në lidhur me diskutimin e fundit brenda KPK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigjje.

Gërvalla për diskutimin: Pasqyrë e gjendjes në të cilen ndodhet ky sistem

Rreth këtij diskutimi, ka reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla. Sipas saj, ky audio-incizim është shqetësues dhe pasqyrë e gjendjes në sistemin prokurorial.

Ministrja thekson se reforma në sistemin e drejtësisë mbetet prioritet.

“Reforma në sistemin prokurorial dhe në atë të drejtësisë në përgjithësi, ka qenë dhe mbetet ndër top prioritetet e Republikës së Kosovës. Më 5 qershor 2025, ndryshimet e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës kishin hyrë në fuqi, duke shënuar kështu fillimin e jetësimit të reformës në sistemin prokurorial”, thekson Gërvalla.

Ajo shton se reformimi i sistemit prokurorial nisi për eliminimin e korporatizmit dhe grupacioneve.

“Reformimi i sistemit prokurorial, kishte filluar pikërisht për të eliminuar korporatizmin dhe grupacionet e ndryshme në sistem, por gjithashtu, për të forcuar drejtësinë dhe për të rritur profesionalizmin, llogaridhënien dhe transparencën e sistemit prokurorial”, shtoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë tha se gjuha, kundërshtimi dhe rezistenca ndaj reformave paraqesin rrezik serioz dhe cenojnë integritetin e sistemit.

“Sistemi prokurorial duhet reformuar”

Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për Gazetën Enigma, tha se zhvillimet e fundit në KPK kalojnë debatin individual.

“Zhvillimet e fundit lidhur me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit kanë prodhuar një situatë që tejkalon një debat individual apo institucional të ngushtë. Kjo çështje prek drejtpërdrejt parimet themelore të shtetit të së drejtës, funksionimin e organeve kolegjiale dhe standardet e përgjegjësisë institucionale në Republikën e Kosovës”, tha Halilaj.

Sipas tij, çdo vendim nga ky organ duhet të jetë rezultat i respektimit strikt të kompetencës ligjore, procedurës së paraparë dhe kuorumit të rregullt.

“Në rastin konkret, roli vendimmarrës i Këshilli Prokurorial i Kosovës e vendos theksin në domosdoshmërinë e respektimit rigoroz të ligjit dhe rregulloreve të brendshme. Kuorumi nuk është formalitet teknik, por kusht thelbësor për vlefshmërinë juridike të çdo akti. Në mungesë të tij, çdo vendim përballet me cenim serioz të ligjshmërisë dhe me pasoja në planin e legjitimitetit institucional”, shtoi ai.

Ai tha se devijimi procedural krijon precedent të rrezikshëm dhe se minon besimin në publik ndaj këtij institucioni.

“Parimi i sigurisë juridike kërkon që institucionet të veprojnë brenda parametrave të qartë dhe të parashikueshëm. Çdo devijim procedural, sado i vogël të duket, krijon precedent të rrezikshëm dhe minon besimin publik. Në një shtet që aspiron konsolidimin e sundimit të ligjit, forma procedurale është garanci e përmbajtjes së drejtë”, shtoi ai më tëj.

“Kjo krizë zbulon gjithashtu tensione të brendshme në sistemin prokurorial dhe një nivel shqetësues polarizimi institucional. Një organ që duhet të garantojë pavarësinë, integritetin dhe stabilitetin e sistemit nuk mund të perceptohet si arenë përplasjeje. Kur vetë mekanizmat mbikëqyrës përfshihen në kontestime procedurale, dëmtohet autoriteti i sistemit në tërësi”, u shpreh Halilaj.

Sipas avokatit, reagimi i BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtar, duhet të shihen në kontekstin e pritshmërive për standard të larta në sundimin e ligjit.

“Reagimet dhe vërejtjet e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimi Evropian, duhen parë në kontekstin e pritshmërive për standarde të larta të sundimit të ligjit. Procesi i integrimit evropian nuk është vetëm proces politik, por para së gjithash proces juridik dhe institucional. Stabiliteti i sistemit prokurorial, transparenca dhe llogaridhënia janë indikatorë kyç në vlerësimin ndërkombëtar të funksionimit të shtetit”, shton ai.

Tutje, ai tha se situate aktuale në sistemin prokurorial tregon se duhet të ketë reforma dhe se kjo reform duhet të jetë kushtetuese dhe e depolitizuar.

“Situata aktuale e bën të qartë se reforma në sistemin prokurorial është e domosdoshme. Megjithatë, reforma duhet të jetë e matur, kushtetuese dhe e depolitizuar. Çdo ndërhyrje që perceptohet si selektive apo e motivuar politikisht rrezikon të prodhojë efekt të kundërt nga ai i synuari.Në këtë kontekst, debati për mekanizma të thelluar të verifikimit dhe rritjes së llogaridhënies është legjitim. Por çdo proces i tillë duhet të ndërtohet mbi garanci të forta procedurale, respektim të të drejtave individuale dhe standarde të qarta profesionale”, tha ai. / Gazeta Enigma/

Related Articles