Në disa pjesë malore të Kosovës janë përhapur shumë zjarre, përfshirë këtu edhe zonat e rrafshit të Dugagjinit, shkruan Gazeta “Engima”.
Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit Emergjencave, Nehat Koqinaj për Gazetën “Enigma”, ka thënë se numëri i vatrave të zjarrit ka rënë dhe se aktualisht janë 4 vatra zjarri aktive.
“Vatra të zjarrit ka ende. Në Suharekë- rajoni i Prizrenit 2 lokacione, Vranicë dhe Bukuosh. Në Krushicë është gjendja më e rënd dhe si rrjedhojë është kërkuar mbështetje nga ajri me kapacitetin e KFOR-it. Parku Nacional Bjeshket e Nemuna, Rajoni i Pejës, Janjevë(zjarr fushore dhe malore”, ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se në bashkëpunim me Njësinë Profesionale, Zjarrfikje dhe Shpetim, të menaxhuara nga Agjensia e Menaxhimit Emergjent janë duke punuar në të gjitha këto zona, ndërsa në Rajonin e Pejës, te Bjeshkët e Nemuna janë angazhuar edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it.
Për këtë çështje për Gazetën “Enigma” ka folur edhe Bali Muharremaj kryetar i Suharekës, i cili ka thënë se momentalisht aktive në këtë zonë është vetëm nje vatër e zjarrit, mes fshatrave Krushice dhe Bukuosh.
“Jane ekipet e zjarrfikësve, ekipet tona vullnetare dhe një pjesë e FSK që janë në teren. Po mundohemi të lokalizojmë zjarrin por është tereni i papërshtatshëm”, ka theksuar ai.
Kush po i shkaton zjarret?
Se kush po i shkaton zjarret, Muharremaj ka thënë se shkaktar nuk mund të jetë faktori njeri por temperaturat e larta dhe fryma.
“Gjatë këtyre tri ditëve vazhdimisht kam qenë në teren dhe kam pa disa grimca të vogla që ditën nuk mund të shihen, por që mendohet që janë shkak për përhapjen e zjarrit”, ka thënë ai.
Në ndihmë për menaxhimin e situatës dhe shuarjes së zjarreve në zonat e prekura, ka dal edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Togu i Gatishmërisë në Operacion përmes Qendrës Operative te Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ka pasur një koordinim dhe bashkëpunim të mirë edhe me ekipet e KFOR-it Amerikan, të cilët gjatë këtyre ditëve kryen një serë intervenimesh nga ajri, duke e lehtësuar lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, thuhet në njoftimin nga FSK-ja.
Krejt çka dihet për zjarret në Kosovë, arrestohen dy persona
Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla ka njoftuar se kanë hasur në raste kur zjarri është vënë qëllimshëm, ku deri tani janë arrestuar dy persona.
“Është shumë me rëndësi të theksoj se përkundër temperaturave të larta ne kemi hasur raste të zjarrvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta” ka thënë ai.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Komunën e Suharekës për të parë nga afër situatën pas zjarreve që kanë shpërthyer në këtë komunë.
“Duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm, meqenëse edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër, do të jenë temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme e bëjnë shumë më të vështirë fikjen e zjarreve më pastaj”, ka thënë Kurti.
Ndërsa nga Ministria e Bujqësisë kanë ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse për kujdes maksimal në ruajtjen e pyjeve, të natyrës dhe mjedisit.
“Apelojmë të gjitha institucionet përgjegjëse duke filluar nga komunat, Njësitë Komunale të APK-se, shërbimin e zjarrfikësve dhe policinë për koordinim të veprimeve, si dhe kujdes të shtuar në parandalimin e zjarreve, dhe mobilizim në shuarjen e tyre”, thuhet në njoftimin e tyre.
Për shkak të temperaturave të larta, tash e disa ditë gati e gjithë Kosova është kapluar nga zjarret. /Gazeta Enigma/