Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas një takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku në fokus ka qenë situata politike dhe procesi i zgjedhjes së presidentit.
Kurti bëri të ditur se takimi është zhvilluar në një frymë dashamirëse dhe konstruktive, ndërsa të dy palët janë pajtuar se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja.
“Me kryetarin Lumir Abdixhiku kemi zhvilluar një takim që ka zgjatur rreth dy orë, ku kemi diskutuar për situatën politike. Na kanë mbetur edhe rreth tre javë për zgjedhjen e presidentit.
Takimi u zhvillua në një frymë dashamirëse dhe u vlerësua se zgjedhjet e reja nuk do të ishin zgjidhje. Sfida jonë nuk është e lehtë, pasi një parti duhet të sigurojë 80 vota në kuvend. Kemi bërë përpjekje edhe më herët, përfshirë kandidimin e Konjufcës dhe kundërkandidimin e Kollçakut.
Tani jemi në një situatë ku vazhdojmë përpjekjet dhe mbetemi optimistë, por nuk mund të themi sot me siguri për rezultatet. Si udhëheqës të subjekteve demokratike dhe transparente, në këtë fazë nuk mund të flasim për emra konkretë, që nuk kanë sjell rezultate të suksesshme apo konkrete”, ka thënë Kurti.
