Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mirëpritur rezolutën e paraqitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga tre kongresistë amerikanë: Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler që mbështet anëtarësimin e Kosova në NATO.
Në postimin e tij të bërë në rrjetin social ‘’X’’, Kurti është shprehur mirënjohës për mbështetjen e palëkundshme të SHBA’ve ndaj Kosovës dhe gjithë rajonit.
“Jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të SHBA-së për prosperitetin tonë, sigurinë e vendit tonë dhe të gjithë rajonit.”, ka thënë Kurti.
Rezoluta, e paraqitur më 30 prill me mbështetje dypartiake, thekson se anëtarësimi i Kosovës në NATO është thelbësor për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të SHBA-ve në Evropën Juglindore.
Në dokument po ashtu vlerësohet qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike si argumente të forta për integrim në aleancë.
