DASH: ShBA mbështet transformimin e FSK-së në forcë profesionale të mbrojtjes territoriale

DASH: ShBA mbështet transformimin e FSK-së në forcë profesionale të mbrojtjes territoriale

Një dokument i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASh) e paraqet Ballkanin Perëndimor si rajon me rëndësi të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe interesat ekonomike amerikane.

Në dokument thuhet se stabiliteti i rajonit dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane atje e bëjnë ShBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”.

Çfarë thotë raporti për Kosovën?

Për Kosovën, dokumenti thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta inkurajojnë atë dhe Serbinë për të bërë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, të negociuar dhe të pranueshme për të dyja palët.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve më 2023 në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili mbështetet nga ShBA-ja.

Por, asnjëri vend nuk ka bërë hapa për ta zbatuar atë deri më tani, raporton REL,

Ndërkohë, lidhur me sigurinë, Uashingtoni thotë se “trupat amerikane vazhdojnë të marrin pjesë në KFOR, të cilin e cilëson si komponent kyç për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë”.

Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.

“Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”

Dokumenti është publikuar rishtazi në faqen zyrtare të Departamentit amerikan të Shtetit, me titullin “Politika e Shteteve të Bashkuara për Promovimin e Stabilitetit dhe Prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”. Ai lidhet me një kërkesë të Kongresit amerikan nga janari i këtij viti, sipas së cilës sekretari i Shtetit duhej t’ua dorëzonte komisioneve përkatëse të Kongresit një raport për politikën e ShBA-së për nxitjen e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, raporton REL.

Raporti thotë se stabiliteti që përpjekjet amerikane kanë ndihmuar të krijohet në Ballkanin Perëndimor ka hapur rrugën për “një lloj tjetër angazhimi” të ShBA-së në rajon.

Sipas dokumentit, “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, ndërsa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”.

Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.

Administrata, thuhet më tej, është e fokusuar në “fuqizimin e aktorëve lokalë për t’i zgjidhur sfidat e tyre”, në vend të “varësisë së tepruar nga ndërhyrja apo mbikëqyrja ndërkombëtare”.

Prioritetet kryesore përfshijnë ruajtjen e stabilitetit rajonal, kundërshtimin e ndikimit keqdashës të Rusisë dhe Kinës, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, investimet në energji dhe infrastrukturë, luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

Related Articles