Ish-ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pasi ish-këshilltari i saj, Valdrin Dervishaj, hedhi dyshime për mënyrën e blerjes së një shtëpie në, siç u shpreh ai, lagjet më të shtrenjta të Prishtinës.
Nagavci me anë të një reagimi në ‘Facebook’ tha se kredinë e ka marrë me bashkëshortin në mënyrë të ligjshme, e cila do të shlyhet brenda 10 viteve.
“Shlyerja e kredisë do të bëhet për një periudhë 10-vjeçare, nga të ardhurat familjare, përkatësisht nga paga ime, paga e bashkëshortit dhe të ardhurat e fëmijëve tanë”, deklaroi Nagavci.
Sipas saj, ndërtuesi i shtëpisë nuk ka kurrfarë ndërlidhjeje apo interesi me qeverinë.
Në një reagim në ‘Facebook’, Dervishaj ka thënë se Byroja për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë duhet të hetojë jo vetëm opozitën, por edhe zyrtarët e partisë në pushtet, përfshirë persona që ai vetë i ka votuar.
Sipas tij, ish-ministrja ka blerë një shtëpi “fingo të re” në fund të mandatit qeveritar, ndërsa prona, sipas pretendimeve të tij, është blerë me kredi dhe me çmim dukshëm më të ulët se vlera e tregut.
“Së pari, kredia është akorduar me këst që nuk përballohet nga paga që ka ish-ministrja (kur është marrë kredia): 1700€ pagë, 1600€ kredi në muaj. Së dyti, shtëpitë në atë zonë janë mesatarisht 250 mijë euro e tutje. Ndërsa kjo shtëpi qenka blerë për 150 mijë euro. Madje, shtëpi fingo e re”, ka deklaruar ai.
“Së treti, duhet të iniciohet hetim edhe ndaj bankës që ia ka akorduar kredinë, duke ia rrezikuar ekzistencën jetësore ish-ministres. Kredia nuk do të duhej të akordohej mbi 70% të të hyrave sipas rregullativës së kreditimit të shëndetshëm”, vijojnë pretendimet e tij.
“Vetëm këtë vit kam paguar tatim sa ministrja ka marrë pagë për një mandat të tërë. Megjithatë, krejt çka kam mundur të bëj është të marr një banesë më të madhe (një dhomë) me qira”.
