Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim dy kongresistët amerikë, Keith Self, që është edhe kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme.
Në njoftimin e ZKM’së thuhet se nga temat kryesore për të cilat foli Kurti, ishte mbrojtja.
Para Prishtinës, kongresistët kanë zhvilluar vizitë në Luginën e Preshevës. Në këtë kontekst, Kurti ka deklaruar se duhet të ketë “të drejta të krahasueshme për pakicat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
“Ai e falënderoi delegacionin për përkrahjen për anëtarësim në NATO, në veçanti për Rezolutat 1246 dhe 1250 të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat mbështesin aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe bëjnë thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it”, thuhet në njoftim.
Ai ka folur edhe për përputhshmërinë në politikën e jashtme.
“Po ashtu, ai diskutoi për investimet e Kosovës në mbrojtje dhe për tema të tjera, si zhvillimi i teknologjisë në vend, ku foli për rritjen e bashkëpunimit ekonomik në këtë fushë dhe në tregti në përgjithësi, si dhe për reformat në fushën e arsimit”.
Para Kurtit, kongresistët takuan ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiun.
