Në kuadër të ditës së dytë të fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, subjektet politike po vazhdojnë aktivitetet e tyre me tubime në komuna të ndryshme të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë disa tubime gjatë ditës, në Kaçanik dhe Han të Elezit në ora 17:00, në Shtime në ora 18:00, në Fushë Kosovë në ora 19:30 dhe në Prishtinë në ora 20:30. Në hapjen e fushatës në sallën “1 Tetori”, kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, theksoi unitetin e partisë dhe gatishmërinë për sfidat politike, duke kritikuar qeverinë aktuale dhe mënyrën e shpërndarjes së mbështetjes financiare për qytetarët.
Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë tubime në Gjakovë në ora 18:00 dhe në Pejë në ora 19:30. Kryetari dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, gjatë hapjes së fushatës prezantoi programin e tij, duke premtuar ulje të çmimeve, rritje të pagave dhe pensioneve, si dhe investime në ekonomi, energji dhe shëndetësi. Në këtë tubim mori pjesë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Lëvizja Vetëvendosje pritet të mbajë tubim në Istog në ora 17:00, ndërsa në Pejë në ora 19:30.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec në ora 20:00. Në hapjen e fushatës në Gjakovë, Ramush Haradinaj vlerësoi kandidatin për kryeministër, Ardian Gjinin, si një nga figurat më të përgatitura për udhëheqje, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në tejkalimin e sfidave të vendit.
Fushata zgjedhore do të zgjasë gjithsej 10 ditë e shtatë orë dhe pritet të përfundojë më 7 qershor në ora 06:59.
