Është inauguruar murali “Çast” i cili nderon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ky mural u organizua nga fondacioni “Jahjaga” në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Kryetarja e këtij fondacioni, Atifete Jahjaga tha se ky mural ka një rëndësi të veçantë, sepse është një akt i dinjitetit dhe kujtesës.
“Në këtë muaj që neve e shënojmë kujtesën tonë që kemi, kujtojmë çlirimin e shtetit tonë, ku neve e kujtojmë dhe nderojmë sakrificën e gjithsecilit qytetar të vendit tonë që ka bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, pikërisht në këtë ditë kryetar, ku neve po zbulojmë së bashku edhe me shumë komuna të tjera këtë mural, i cili nuk është vetëm si mural, por ka këtë domethënie të veçantë sepse është një akt i dinjitetit, është një akt i kujtesës, është një akt i përgjegjësisë ndaj të vërtetës sonë. Sepse 27 vite më parë, kur neve kemi trashëguar shumë pasoja të luftës, neve kemi trashëguar edhe mbi 20,000 gra dhe burra ku trupi i tyre është shndërruar në fushëbetejë, ku dhunimi është përdorur si mjet lufte ndaj qytetarëve të pafajshëm të shtetit tonë, dhe pikërisht kjo vepër e artit, që unë nuk i them që është vetëm vepër e artit, sepse pas nesh është edhe një dëshmi publike, një kujtesë e gjallë dhe një thirrje që historia jonë të mos harrohet, që historia jonë të mos heshtet”, tha Jahjaga.
https://www.facebook.com/share/p/1LQEZzUtTV/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se ky mural do të shërbej si kujtesë kolektive për periudhën e luftës.
“Ky mural këtu, është i vendosur në zemër të Prishtinës, është një akt i kujtesës dhe i respektit për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Murali është nderim për çdo grua dhe burrë që mbijetoi këtë krim të tmerrshëm të luftës. E përgëzoj edhe një herë Presidenten Jahjaga për këtë iniciativë, për të cilën jam shumë i lumtur që ne si kryeqytet kemi pasur mundësi që sado pak ta mbështesim dhe t’i japim hapësirë kësaj pjese të historisë sonë të përbashkët. Ky mural do të mbetet këtu për gjithmonë, që për secilin që kalon, pra ka me pasur një kujtesë shoqërore, një kujtesë kolektive nëpër të cilën ne si shoqëri kemi kaluar, e tregon që sakrifica e këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale është vetë themeli i paqes, i lirisë e i demokracisë që ne sot e gëzojmë si qytetarë të kryeqytetit e të gjithë Kosovës. Prandaj urime Prishtinë, faleminderit shumë Presidente Jahjaga për këtë iniciativë të mrekullueshme. E paçim këtu si një kujtim të mendësisë tonë kolektive e të mos e harrojmë kurrë”, tha Rama.
Ndërsa, Igballe Rugova nga Rrjeti i Grave të Kosovës u shpreh se të mbijetuarave të dhunës seksuale u mungon ende drejtësia.
“Të mbijetuarat sot kanë të drejtat e tyre që i takon si shtet, i ka dhënë i ka ofruar shteti, por ajo që ju mungon është drejtësia. E këtu dua me falënderuar Vasfien, që ishte zëri që doli publik. Vasfia sot e kësaj dite vazhdon me kërkuar drejtësi. Faleminderit të gjithëve edhe një herë”, tha Rugova, raporton KosovaPress.
Murali “Çast”, është vendosur te Kinemaja ABC në Prishtinë.
Në Kosovë janë rreth 20 mijë të mbijetuar të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.
