Përleshje mes babait dhe djalit në Graçanicë, dyshohet se u përdorën edhe sëpatë e shufër metali
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në fshatin Radevë të Graçanicës, ku një konflikt mes babait dhe djalit ka përshkallëzuar në përleshje fizike.
Sipas informacioneve, mosmarrëveshja dyshohet se nisi pas një debati lidhur me konsumimin e marihuanës. Gjatë incidentit, njëri nga të përfshirët dyshohet se ka thyer xhamin e veturës së babait, ndërsa më pas situata ka eskaluar, ku dyshohet se janë përdorur edhe një shufër metali dhe një sëpatë.
Në ngjarje është përfshirë edhe një i mitur, ndërsa dy familjarë dyshohet se e kanë lidhur njërin prej të përfshirëve me litar deri në mbërritjen e Policisë.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Të përfshirëve u është ofruar ndihmë mjekësore, ndërsa njëri prej tyre ka pësuar lëndime të lehta trupore.
I mituri është intervistuar në prani të avokatit dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt.
