BE zgjedh njeriun e ri për Kosovën: Dirk Schübel merr në dorë edhe dialogun Prishtinë-Beograd

BE zgjedh njeriun e ri për Kosovën: Dirk Schübel merr në dorë edhe dialogun Prishtinë-Beograd

Këshilli Evropian ka emëruar diplomatin gjerman Dirk Schübel në pozitën e Përfaqësuesit të ri Special të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Sipas njoftimit të Këshillit Evropian, mandati i tij do të fokusohet në mbështetjen e një Kosove stabile, demokratike dhe multietnike, si dhe në avancimin e perspektivës evropiane të vendit përmes aktiviteteve diplomatike dhe informuese.

Në përgjegjësitë e Schübel përfshihen monitorimi i zhvillimeve politike, ekonomike dhe të sigurisë, mbështetja e sundimit të ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe koordinimi i politikave të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Një nga detyrat kryesore të mandatit të tij do të jetë edhe mbështetja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim promovimin e stabilitetit rajonal dhe përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Po ashtu, diplomati i ri evropian do të ofrojë udhëzime politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe do të kontribuojë në forcimin e rolit të BE-së në vend.

Dirk Schübel është diplomat gjerman me përvojë të gjatë në institucionet evropiane dhe aktualisht shërben si shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS). Gjatë karrierës së tij ka mbajtur poste të ndryshme drejtuese në diplomacinë evropiane dhe atë gjermane.

Related Articles