Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se “pas dy vjetësh, LDK-ja po i rikthehet pragmatizmit”.
Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se LDK-ja nuk kërkon asgjë përveç rolit të saj shtetëror në procesin e konstituimit të Kuvendit, si dhe në zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë.
Ai ka kritikuar edhe zhvillimet e së mërkurës në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, deputetët nuk duhet të ballafaqohen me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë “derën e mbyllur për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje”.
Postimi i plotë:
E patë qysh n’pikë t’ditës VV e shndërroi sallën e Kuvendit të Republikës në zallamahi!
Salla plenare e Kuvendit të Republikës nuk bën të kthehet në han ku vlojnë sharjet e thirrjet për vrasje.
Ne nuk duhet të ballafaqohemi me mërgimtarët, por me ata që e mbajnë derën e mbyllun për deputetë dhe me ata hapin dyer për sharje e thirrje për vrasje!
Gjithçka për Republikën
. LDK nuk kërkon asgjë pos rolit të saj shtetnor për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit e Qeverisë.
Por, mos e harroni se mendësinë parti-shtet e kemi rrënu moti kohë. Kemi qenë përherë besë e shpresë për Republikën.
Pas dy vitesh, LDK i rikthehet pragmatizmit, ajo që tradicionalisht e ka karakterizu partinë që inicoi e shkaktoi procese, për ta realizu andrrën e shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci.
Kur ofrohesh për bashkëpunim e nuk të pranohet, atëherë jemi shtyrë në shkaktim të proceseve të reja. Proceseve politike e jo zgjedhore.
